KOSOVA (F)
Përquku: Krenare që jam kapitene e Kosovës
Teksti: FBK
7 July, 2021 @17:14
Basketbollistet e Kosovës A po vazhdojnë me përgatitje dy herë në ditë për një përfaqësim sa më dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Kosova A për herë të parë do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare te femrat.
Kapitene e Kosovës do të jetë basketbollistja me përvojë, Arbnore Përquku. “Sigurisht se jam shumë krenare që jam kapitene e Kosovës. Është një ëndërr e realizuar për mua që në përfaqësimin e parë ndërkombëtar, të jem unë kapitene. Pas shumë viteve në basketbollin e Kosovës do të kem mundësi të përfaqësoj vendin në garat ndërkombëtare dhe ky është një nder për mua”, është shprehur Përquku për faqen zyrtare të FBK-së.
Basketbollistja e Penzës ka folur edhe për rrjedhën e përgatitjeve. “Jemi duke u stërvitur dy herë në ditë dhe deri më tani nuk kam pasur lëndim. Po mundohemi të japim më të mirën tonë në mënyrë që të jemi sa më të gatshme për garat ndërkombëtare”, shtoi tutje basketbollistja me përvojë.
Kosova A do të debutojë këtë verë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që do të mbahet nga 20 deri më 25 Korrik në Qipro.
Ajo foli për rëndësinë e formimit të Përfaqësueses A dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. “Është një ëndërr e realizuar, sidomos për të gjitha basketbollistet që kemi përvojë dhe nuk kemi mundur të luajmë më herët në arenën ndërkombëtare. Do të mundohemi të përfaqësojmë vendin në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Kosova është në grup me Luksemburgun dhe Qipron, ndërsa në këtë Kampionat marrin pjesë shtatë shtete. Dy vendet e para kualifikohen në gjysmëfinale, ndërsa vendet tjera do të luajnë për pozitat 5-7.
“Ne nuk udhëtojmë me flamur të bardhë. Për ata jemi duke u stërvitur dy herë në ditë. Do të japim më të mirën tonë në çdo ndeshje dhe shpresojmë në rezultate pozitive”, përfundoi Arbnore Përquku, që do të jetë në histori si kapitenia e parë e Kosovës A në garat zyrtare ndërkombëtare.