EUROBASKET
Price, basketbollist i javës
27 November, 2013 @12:09
Alo-qendra 25 vjeçare e RTV 21 Jeremy Price është zgjedhur lojtari më i rëndësishëm i javës së fundit të Superligës së Kosovës, sipas portalit Eurobasket. Price që ka vetëm dy xhiro që luan për Teleboysat dhe erdhi me kërkesë speciale të trajnerit Arben Krasniqi, ka shkëlqyer në ndeshje ndaj Kastriotit duke regjistruar double-double prej 24 pikëve dhe 11 kërcimeve në fitoren e ekipit të tij ndaj ferizajasve.
Pas tij, në renditjen e Eurobasketit erdhi fundori i RTV 21, Brandon Jenkins. Jenkins është i huaji i vetëm që ka mbetur nga koha e Adin Adinovic që ka kaluar testin e Arben Krasniqit. Ai gjithashtu regjistroi double-double prej 16 pikëve dhe 11 asistimeve dhe ka qenë njëri ndër vendimtarët në fitoren e Teleboysave.
Vendi i tretë i ka takuar fundorit nga ndeshja e njejtë, por të ekipit humbës, Hekuran Binxhia. Prishtinasi që erdhi si përforcim te Kastrioti ka shënuar 28 pikë dhe ka regjistruar 6 asistime në ndeshjen e humbur të ekipit të tij.
Nga basketbollistët tjerë sipas radhës vinë: 4. Brad Kanis (Besa), 5. Takais Brown (Drita), 6. Gerti Shima (Peja), 7. Quentin Demeritte (Besa), 8. Joshua Brown (Trepça), 9. Papa Dia (RTV 21) dhe 10. Jan Orfila (Trepça).
Basketbollisti i javës zgjidhet sipas formulës së efiçencës në Eurobasket duke përfshirë këtu edhe rëndësinë e ndeshjes nëse basketbollistët kanë shifra të njejta.
Interesant është fakti se përveç Binxhisë dhe Shimës, të gjithë basketbollistët tjerë janë të huaj.
Përndryshe RTV 21 përmbyll TOP 10-shen me tre basketbollistë, e pas tij vinë, Besa me dy, Trepça me dy dhe Kasrtioti, Drita e Peja me nga një.