SIGAL PRISHTINA
Prishtina pret fitore
5 December, 2013 @10:03
Fituesja e Kupës dhe Superkupës së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina, sonte pret Craiovën rumune në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në ndeshjen që i takon xhiros së tetë të ligës ballkanike.
Ekipi i Ceyhun Cabadak do të kërkojë padyshim fitoren në përballje me rumunët, të cilët këtë javë po qëndrojnë në Kosovë dhe do të zhvillojnë ndeshjen e dytë pas asaj me Pejën.
Sipas informatave nga klubi, Sigal Prishtina do t’i ketë të gjithë basketbollistët e saj në dispozicion, derisa është konfirmuar edhe kthimi i Kendrick Jonesit i cili pushoi për një javë pas lëndimit të gishtit.
E sa i përket pakënaqësive të disa lojtarëve lidhur me minutazhën e vogël, Cabadak ka deklaruar më parë për media se klubi është më i madh se çdo individ, andaj pritet të mos ketë telashe të mëdha para ndeshjes me rumunët.
Ndërkaq kundërshtari, Craiova, deri më tani ka bilanc prej 2 fitoreve dhe 4 humbjeve - e fitoret i ka shënuar si vendas, derisa ndeshjet tjera i ka humbur jashtë palestrës së saj. Kjo mund të jetë një karakteristikë e keqe për ata, por e mirë për prishtinasit të cilët sonte nëse arrijnë fitore me më shumë se 7 pikë dallim do të bëhen liderë pas kësaj jave të Balkan League.
BALKAN LEAGUE, Sonte:
17:30 Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Prishtinë | Sigal Prishtina - Craiova | Gjyqtarë: Zoran Sutulovic, Zdravko Rutesic dhe Vladan Sundic; |