EKSKLUZIVE
Prishtina synon titullin e ligës ballkanike
Intervistë ekskluzive me menaxherin e skuadrës së Sigal Prishtinës, Edis Kuraja;
15 August, 2014 @9:34
Sigal Prishtina stinorin e kaluar arriti të shpallet kampion pas dy vitesh pauze. Kjo ishte e rëndësisë së madhe për drejtuesit e skuadrës me më së shumti tituj të fituar në Kosovën e pasluftës, mirëpo ata nuk u ndalën me kaq. Arritën të përsërisin suksesin në Kupë të Kosovës, pasi që kishin fituar edhe Superkupën në fillim të edicionit të kaluar.
Me një organizim për lakmi në regjion, ata me plotë sukses arritën të menaxhojnë edhe Final Fourin e Balkan League, në Prishtinë. Fakt ky i rëndësisë së madhe pasi që Sigal Prishtina ishte debutuese në stinorin e kaluar në këtë ligë dhe fitoi besimin e drejtuesve të kësaj lige për organizim të netëve finale.
Me aspirata më të mëdha
Në një intervistë ekskluzive për Borozani.com. menaxheri i skuadrës prishtinase, Edis Kuraja, ka treguar se kampionja ia nis stërvitjet që nga java e ardhshme, derisa ndër synimet kryesore të ekipit do të jetë triumfi ndërkombëtar, triumfi në Balkan League.
-Në çfarë faze është ekipi juaj te përgatitjet parasezonale?!
Kuraja: Stërvitjet do të fillojnë nga data 18 gusht. Këto stërvitje i quajë parapërgatitore, e pastaj do të shkojmë në fazën përgatitore dhe me faza tjera parasezonale që vinë me radhë.
Kemi trajnerët tonë
-Cilin trajner do ta angazhojë Sigal Prishtina pas largimit të Dokuzovskit, pasi që u bë e ditur se ai ka kaluar te Rabotnicki?
Kuraja: Trajneri Marin Dokuzovski ka qenë i jashtëzakonshëm. Ka arritur t’i përmbush synimet e klubit. Arritja në Final Four të Balkan League, Kupa dhe titulli i Kosovës. Tani ai ka nënshkruar për Rabotnickin e Shkupit, por ne kemi dy trajnerë me të cilët do të vazhdojmë të punojmë. Fikret Shatri do t’i udhëheq stërvitjet, derisa ndihmës i tij do të jetë Albert Sylejmani.
Lojtarët do të duhet të dëshmohen
-Cilët lojtarë i keni me kontrata dhe sa lojtarë duhen përafruar te Prishtina para nisjes së stinorit të ri?
Kuraja: Sa i përket lojtarëve kemi disa ndryshime. Disa basketbollistë kanë kontrata dhe disave do t’iu vazhdohet. Por, gjithsesi ata do të duhet të dëshmohen nëse dëshirojnë t’iu vazhdohet kontrata. Pastaj pas tubimit të ekipit do të shohim a kemi zbrazëtira dhe me kohë do t’i plotësojmë ato.
E duam titullin e Balkan League
-Synimet e klubit për stinorin e ri?!
Kuraja: Gjithsesi – kupa dhe titulli, derisa synimi tjetër Balkan League apo titulli i kësaj lige.
Bëhuni profesionistë
-Për tifozë, lojtarë apo basketbollin në përgjithësi…
Kuraja: Mesazhet e mija janë këto: që lojtarët të cilët kanë vendosur të mirren me këtë sport, duhet të kenë pushim më të shkurtër dhe jo të pushojnë nga tre muaj. Ajo është individuale, por tregon mjaft se çfarë profesionalizmi kanë ata; dhe tifozëria më e mirë e ligës ballkanike dhe pa mëdyshje edhe ligës sonë, Plisat – janë dëshmuar të jenë më të mirët.