PRIZRENI - LIPJANI
Prizreni i kthehet fitores
11 November, 2018 @20:56
Pas dy disfatave me radhë, Prizreni i është kthyer fitores sot në Sezai Surroi, duke e mposhtur Lipjanin 84-67.
Bardhezinjtë kanë qenë më të mirë se mysafirët nga pak në çdo çerek, për të ngritur epërsinë me kohë dhe për fitore me 17 pikë dallim në fund, 84-67.
Pesëshja e parë e Prizrenit ka përfunduar ndeshjen me pikë dyshifrore. Ndërsa Urim Zenelaj ka kryer ndeshjen me double-double, 16 pikë e 13 kërcime, për të qenë më i vyeshmi në ndeshje.
Eliott Cole iu kthye mesatares së tij të pikëve në ndeshje, duke shënuar 23 sosh bashkë me 5 asistime, kurse pejani Blendi Matoshi shënoi 12 pikë e 3 kërcime në fitore.
Basketbollisti i ri i skuadrës së Prizrenit, Chris Bradford luajti 13 minuta, shënoi 3 pikë dhe i regjistroi 6 kërcime në përballje.
Në anën tjetër te ekipi mysafir që po drejtohet nga greku Ioannis Tsiroggiannis më efikasi ka qenë Stacey Lambert me 19 pikë, kurse Maurice Williams me 14 sosh. Lojtari i ri i tyre i ardhur Alex Budovitsky ka luajtur 27 minuta, ka shënuar 3 pikë dhe ka regjistruar 5 kërcime e 2 asistime.
Pas kësaj ndeshjeje, Prizreni ka shënuar ngritje në tabelë me 4-3 dhe një ndeshje më pak, ndërsa Lipjani thellohet në fund, me 1-7 pas 8 xhirove.