PRIZRENI - TREPÇA
Prizreni triumfon, ndal serinë e Trepçës
12 December, 2018 @21:00
Pas katër humbjeve radhazi, Prizreni i është kthyer fitores dhe atë në mënyrë madhështore, duke e fituar Trepçën e Mitrovicës që ishte në formë.
Basketbollistët e drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati, kanë luftuar përgjatë gjithë ndeshjes për të thyer ekipin mysafir dhe këtë ia kanë arritur në fund, kur 1 minutë e 34 sekonda para fundit të ndeshjes kaluan në epërsi me treshen e Elliott Cole‘it 72-69.
Minutat e fundit të ndeshjes kalonin në ndërrim të epërsisë. Herë në epërsi ishte Prizreni, herë Trepça.
Gjashtë minuta para fundit, figuronte 61-60 për Prizrenin. Pesë minuta para fundit të ndeshjes, 61-62 kishte kaluar Trepça në epërsi.
Cole riktheu epërsinë 4:25 minuta para fundit nga gjuajtjet e lira për 63-62. Por Dorris e bëri 63-64 për mitrovicasit.
Pastaj në skenë doli Urim Zenelaj. Kapi kërcimin në sulm, pas dështimit të Wallerit për tre pikë, për të shënuar për 65-64, kur kishin mbetur edhe 3:38 minuta deri në fund.
Herën e fundit, Trepça doli në epërsi përmes Burim Zekiqit, kur nguliti për 67-69. Më pas barazoi Brandon Scott në 69-69 dhe treshja e Cole’it theu gjithçka.
E prej këtij momenti më nuk kishte mundësi kthimi për Trepçën, që tentoi disa herë me shënimet e Burim Zekiqit, por që epërsia prizrenase nuk shuhej, për 81-76 përfundimtare.
Cole ka qenë më efikasi te Prizreni. Ai shënoi 27 pikë në fitore, ndërsa 17 të tjera erdhën nga Brandon Scott e nga 12 shënuan Chris Waller e Chris Bradford.
Te Trepça nuk kanë mjaftuar 21 pikët e Mark Dorrisit, që ka pasur edhe 15 asistime, por edhe 10 topa të humbura!!! E 18 pikët e Burim Zekiqit do të shënohen vetëm si statistikë.
Pas kësaj fitoreje, Prizreni arrin bilancin 5-7, ndërsa Trepçës i bëhet 6-7.