VRESHTARËT NUK NDALEN SË PËRFORCUARI

Rahoveci me tetë përforcime për pranverë
28 January, 2025 @10:47
Pas angazhimit të trajnerit Liridon Leci për pjesën pranverore të stinorit, Rahoveci në ditët e kaluara thuaja secilën ditë ka bërë të ditur për një përforcim në skuadër dhe deri tash janë regjistruar tetë të tillë.
Mesfusha dhe sulmi janë më të përforcuarat me lojtarë, ndërsa Rahoveci në ekip ka sjellë Erduan Ibrahimin, Henry Chibuezem e Zenel Gavazajn në fazë të sulmit, në mesfushë ka shtuar Arianit Krasniqin, Arbnor Halitjahën, Planet Veselin dhe Lavdim Graincën, kurse në mbrojtje ka marrë krah-mbrojtësin Bind Maxhuni.
Puna e “vreshtarëve” tash është që të komponohet ekipi sa më mirë deri në gjysmën e muajit të ardhshëm, ashtu që të bëhet gati për duelet pranverore në luftë për mbijetesë në Ligë të Parë.
Rahoveci përndryshe ka mbyllë vjeshtën në vendin e parafundit të Ligës së Parë - Grupi A me 14 ndeshje dhe vetëm 7 pikë të tubuara. Ata kanë arritur vetëm një fitore deri tash në kampionat. Kujtojmë, këtë stinor nga secili grup i Ligës së Parë bien nga dy ekipe në Ligë të Dytë, ndërsa të tjerët mbijetojnë dhe prej stinorit 2025/26 Liga e Parë do të jetë e përbashkët me 18 ekipe pjesëmarrëse.