REAL MADRID 3-1 MANCHESTER CITY (AEX)

Fotot: UCL/fb
Real Madrid i madh, përmbysje dyminutëshe për finale
4 May, 2022 @23:30
Mohamed Salah në ditën pasi që siguroi finalen e Ligës së Kampionëve kishte një dëshirë. E atë dëshirë ia plotësoi në mënyrë senzacionale Real Madrid.
Superylli i Liverpoolit kishte thënë se e dëshiron Real Madridin në finale të Ligës së Kampionëve, pasi që kanë një “borxh të palarë” me ata, duke aluduar në finalen e humbur Real Madrid 3-1 Liverpool, të vitit 2018.
E kur Manchester City ishte në epërsi 0-1 në Bernabeu, pasi që algjeriani Riyad Mahrez kishte shënuar një gol tepër të bukur 17 minuta para fundit të ndeshjes, Real Madridi tregoi shpirtin e madh luftarak me në krye Karim Benzemanë në formë të jashtëzakonshme, derisa treshja standarde e mesfushës, Luka Modric, Toni Kroos dhe Casemiro, ishin zëvendësuar.
Ka qenë zëvendësuesi brazilian Rodrygo që u përkujdes në momentet e fundit të ndeshjes ta dërgojë duelin në vazhdime. Braziliani njëherë me asistim të Benzemasë, pastaj me të Asensios shënoi për 2-1, pas 90-minutave. Rezultati i përgjithshëm këtu u bë 5-5, pasi që ekipi i Pep Guardiolës kishte fituar ndeshjen e parë në Etihad, 4-3.
E një penallti në vazhdime, e shënuar në mënyrë klasike nga Benzema për përfundimtaren Real Madrid 3-1 Manchester City [Rodrygo 90, 90+1, Benzema 95p. - Mahrez 73], çoi mbretërit në finale të Ligës së Kampionëve, për t’i vënë djelmoshat e Carlo Ancelottit përballë Liverpoolit në finalen e madhe të Parisit që do të luhet në Stade de France më 28 maj.
Rekord-fituesi i kësaj gare (13) përballë njërës ndaj skuadrave me më së shumti trofe (6).