DON BOSKO - FERONIKELI
Rikthim i madh i Spaqit me Boskon në mposhtjen e liderit
24 March, 2019 @11:32
Skuadra e Feronikelit ka pësuar humbjen e parë të stinorit në Ligë të Parë dje në përballje me Don Boskon.
Tre çerekët e parë u fituan nga ekipi i Feronikelit të cilët hynë në 10 minutat e fundit të ndeshjes me 8 pikë epërsi.
Por në çerekun e fundit ekipi i drejtuar nga Valentin Spaqi ka arritur të shkrijë epërsinë [24-14 çereku i katërt] e mysafirëve dhe t’ua shkaktojë humbjen e parë të stinorit.
Gjithçka ndodhi në minutën e fundit kur Rinor Ahmeti qëlloi treshen për 66-67. Pastaj Dion Haxhosaj çoi në epërsi ekipin 68-67.
20 sekonda para fundit të ndeshjes amerikani i Feronikelit Desmond Gattis shënoi vetëm një nga dy gjuajtjet e lira për të barazuar 68-68, e në sulmin e fundit Rron Kurti me asistin e Hekuran Binxhisë shënoi për fitore 70-68, pasi që në nëntë sekondat e fundit mysafirët nuk arritën të shënojnë.
Me këtë fitore DonBosko ka përmirësuar bilancin në 13-4, ndërsa Feronikeli tash ka bilanc 16-1.
Në xhiron e fundit të stinorit të rregullt Feronikeli pret Dritën, ndërsa DonBosko është mysafir i United Basketballit.
Sa i përket ndeshjes, Gent Shala ka qenë më i dalluari te DonBoskoja në fitore. Ai shënoi 29 pikë e 18 kërcime në fitore, derisa nga 12 pikë shënuan Dion Haxhosaj e Rinor Ahmeti. Ky i fundit shtoi edhe 6 asistime në llogari të tij.
Te ekipi i Feronikelit që drejtohet nga Petrit Zeqiri 17 pikët e Sami Hajzerit, e double-double i Mirza Muriqit [10 pikë, 12 kërcime] nuk mjaftuan. Arti Hajdari e Desmond Gattis shtuan nga 12 pikë secili gjithashtu, por s’mjaftuan për rezultat pozitiv në fund.