Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PORTUGEZI, TIMONIER I RI I UNITEDIT

Ruben Amorim zyrtarisht trajner i ri i Manchester Unitedit

Ruben Amorim zyrtarisht trajner i ri i Manchester Unitedit


1 November, 2024 @13:18

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të klubit, Manchester United ka bërë të ditur se ka arritur përfundimisht marrëveshje me trajnerin 39 vjeçar portugez, Ruben Amorim.

Marrëveshja mes Manchester Unitedit dhe Amorimit është nënshkruar deri në qershor të vitit 2027, ndërsa portugezi do t’i bashkohet ekipit më 11 nëntor, të hënën. Deri atë ditë, Ruud Van Nistelrooy do të vazhdojë të drejtojë skuadrën.

“Ruben është një nga trajnerët e rinj të vlerësuar në futbollin evropian. Me tituj të fituar si lojtar e trajner, ai është premtues, ndërsa ka fituar Primeira Ligën portugeze me Sportingun, duke i bërë kampionë ata për herë të parë pas 19 vitesh,” shkruan në faqen zyrtare të Manchester Unitedit me rastin e njoftimit për trajnerin e ri të ekipit.

Amorim vjen te United pas periudhës së ekipit të drejtuar nga holandezi Erik Ten Hag, i cili përkundër transfereve shumëmilionëshe nuk ka arritur që të këndell ekipin. Për holandezin, humbja nga West Ham United në fundjavën e kaluar ishte - fundi.

Shuma e transferimit të tij te Manchester United është raportuar të jetë 11 milionë euro. Klauzola e lirimit të trajnerit portugez me Sportingun ka qenë 10 milionë euro, ndërsa Manchester United ka paguar edhe një milion shtesë, në mënyrë që Amorim ta përfundojë kontratën aktuale te Sportingi pa periudhën paralajmëruese 30 ditore, të cilën do të duhej ta bënte sipas kontratës së nënshkruar.


 
Të gjitha lajmet nga Premier League