STATS
Samiri e House, përfundojnë stinorin si liderë statistikor
1 May, 2014 @17:09
Në tabelën e liderëve statistikor të Balkan League për stinorin e posapërfunduar 2013/14, basketbollistët nga ekipet kosovare Peja e Sigal Prishtina, kanë arritur të tregojnë cilësitë e tyre dhe në fund Samir Shaptahovic ka dalë asistuesi më i mirë i ligës, derisa Fred House gjithashtu i Pejës, ka dalë të jetë vjedhësi më i mirë i topave në BIBL.
Samiri me mesatare prej 5.4 asistimeve për ndeshje ka përfunduar stinorin në vend të parë të BIBL, derisa në këtë kategori te dhjetë më të mirët ka hyrë vetëm edhe Kendrick Jones nga Sigal Prishtina, që ka përfunduar stinorin në vend të shtatë me mesatare 3.8 asistime për ndeshje.
Fred House, që javë më parë u largua nga Peja, ka përfunduar stinorin si vjedhësi më i mirë i topave me 2.6 topa të vjedhura për ndeshje, ku pas tij në listë vjen menjëherë Samir Shaptahovic me mesatare prej 1.8. Nga ekipi i Sigal Prishtinës në këtë kategori ka arritur të futet vetëm Kendrick Jones, si i gjashti në listë me 1.6 topa të vjedhura për ndeshje.
Si koshashënues më i mirë i ligës ka dalë serbi i Kumanovos, Vukasin Mandic, me 18.3 pikë për ndeshje, derisa menjëherë pas tij në renditje kanë ardhur Dardan Berisha (Sig Prishtina, i dyti) me 17.5 pikë për ndeshje si dhe Samir Shaptahovic, si i treti në listë me 17.3 pikë për ndeshje. Në vendin e dhjetë stinorin e ka përfunduar edhe Fred House i Pejës, me 14.8 pikë për ndeshje.
Te kërcyesit më të mirë të BIBL, në fund të renditjes kanë arritur të hynë, Geordge Odufuwa (Peja, i shtati, 6.9 kërcime për ndeshje), Aurimas Kieza (Sigal Prishtina, i teti, 6.6 kpn.), Kendrick Jones (Sigal Prishtina, i nënti, 5.6 kpn.) dhe Teo Simovic (Peja, i dhjeti, 5.5 kpn.)
E në fund te bllokuesit më të mirë, nga basketbollistët që djersitën fanellat e Sigal Prishtinës dhe të Pejës, aty janë futur: Fred House (Peja, i gjashti, 0.7 bllokada për ndeshje), Gerti Shima (Peja, i shtati, 0.6 bpn.) dhe Aurimas Kieza (Sig Prishtina, i nënti, 0.5 bpn.).