SARIN, PAS NDESHJES
Sarin: Rilski s’e meritoi fitoren
27 October, 2016 @15:25
Në deklaratën e tij pas ndeshjes së humbur në vazhdime nga Rilski, trajneri i ri i Prishtinës, Jeronimo Sarin, ka thënë se ekipi kundërshtar nuk e meritoi atë.
“Përfundimisht e kemi merituar fitoren në këtë përballje, pasi arritëm të kthehemi përkundër avantazhit të kundërshtarit. Një faull të tillë nuk e kam parë kurrë në jetën time si lojtar e si trajner. Ato tre pikë kthyen Rilskin në lojë, ndërsa në vazhdime nuk kishim mundësi tjera, pasi që dy lojtarë i kishim të lënduar dhe tre të tjerë me gabime personale,” ka thënë Jeronimo Sarin, shkruan Koha Ditore sot.
Për më tepër, ai ka thënë se kundërshtari as që e meritoi fitoren në këtë përballje, por sidoqoftë, Prishtina do të përmirësohet në ditët në vazhdim.
“Rilski mund të kënaqet me fitoren por nuk e ka merituar atë. Unë sapo kam ardhur dhe është e pamundur t’i ndërroj gjërat menjëherë. Ekipi ka lojë të shpejtë, por duhet përmirësuar mbrojtja,” ka thënë ai.
Sigal Prishtina u mposht në vazhdime nga Rilski dhe pas dy ndeshjeve të para në FIBA Europe Cup ka dy humbje, duke qëndruar në pozitën e fundit në grup. Xhiron që vjen Sigal Prishtina luan ndaj ekipit rus, Enisey, që ka dy fitore nga dy duelet e para të grupit.