KOSOVA - VAJZAT
Senioret për herë të parë në short
Teksti: FBK
1 June, 2021 @12:20
Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll te femrat për herë të parë do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.
Vashat nga Kosova do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që do të mbahet në Qipro, nga 20 deri më 25 Korrik.
Të mërkurën (02.06.2021) nga ora 14:00 do të hidhet shorti në zyrat e FIBA Evropës, që kësaj radhe do të jetë ‘online’ për shkak të masave anti Covid-19.
Kosovën në këtë short do ta përfaqësojë Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova.
Vashat e Kosovës kanë mbajtur disa stërvitje nën udhëheqjen e Fidan Shatrit, derisa pritet të fillojnë me stërvitje intensive për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz në debutimin e garave ndërkombëtare. Ekipi i Kosovës përbëhet nga lojtare me përvojë, por edhe të talentuara, që pritet të jenë e ardhmja e basketbollit në konkurrencën e femrave.
Kjo është hera e parë që Kosova A te femrat do të luajë në gara evropiane. Kjo ka qenë nismë e Federatës së Basketbollit të Kosovës që i kushton rëndësi të veçantë femrave në basketboll, si dhe masivizimit të gjitha gjeneratave të reja. Ëndrra për shumë lojtare do të plotësohet për të bartur fanellën e Kosovës në gara ndërkombëtare, një mundësi që nuk e kishin shumë lojtare në të kaluarën. Po ashtu është një mundësi për vashat e reja që ëndërrojnë që një ditë të luajnë për Kosovën A femrat.