XHIRO II
Sfida interesante sonte
9 October, 2013 @13:32
Xhiroja e dytë e Superligës së Kosovës në basketboll fillon sonte me tre ndeshje. Peja pret Trepçën në Karagaç, Bashkimi Sigal Prishtinën në Sezai Surroi derisa Drita pret Besën në Bashkim Selishta të Gjilanit.
PEJA-TREPÇA
Kampionja aktuale e Kosovës Peja ia nisi për mrekulli stinorit. Verdhezinjtë çmontuan Bashkimin si mysafir në Prizren me 39 pikë epërsi dhe duket se janë të komponuar si ekip në krahasim me të tjerët.
Sonte ata luajnë ndeshjen e parë të tyre në Karagaç me ish kampionen Trepça, e cila u mposht befasisht në ndeshjen e parë të edicionit të ri nga Kastrioti i Ferizajit.
Peja pritet të fitojë lehtë dhe bindshëm këtë ndeshje, derisa mitrovicasit të këndellen mirë ose të përforcohen edhe më për shkak të fondit të ultë të basketbollistëve të huaj në ekip.
Stinorin e kaluar Peja e pat mposhtur Trepçën në të gjitha takimet ndërmjet tyre. Ndërsa sonte do të jetë edhe një pikë interesante pasi që Drilon Hajrizi për herë të parë në karrierë të tij do të luaj kundër Trepçës, aty ku rrit si basketbollist.
BASHKIMI-SIGAL PRISHTINA
Derbi tjetër i xhiros, luhet në Sezai Surroi të dënuar të Prizrenit.
Pas humbjes katastrofale nga pejanët, Bashkimi, pret sonte edhe kandidatin e dytë për titull, Sigal Prishtinën.
Prizrenasit do ta kenë mjaft vështirë, posaçërisht pas sëmundjes së basketbollistit që parashikohet të jetë më i miri në ekip, amerikanit Justin Cecil. Sipas informatave nga tabori prizrenas ai mund të debutojë sonte vetëm nëse mirret viza e mjekut të klubit, për t’u mos u rrezikuar më shumë.
Sigal Prishtina pasi që mposhti keq Dritën në ndeshjen e parë të stinorit, pret të fitojë edhe në Prizren. Ekipi i udhëhequr nga turku Ceyhun Cabadak sonte do të bëj gjithçka për fitore, pasi që si rival kryesor i tyre në vend të parë është Peja dhe duhet të mposhtin patjetër prizrenasit.
Pasi që palestra Sezai Surroi është e dënuar për tifozë, sonte Prizreni për herë të parë do të ketë mundësinë që të zbatojë në praktikë kërkesën e re të FBK-së ku femrat dhe fëmijët mund të hynë në palestër përkundër dënimit.
DRITA-BESA
Drita që u shua në Prishtinë në xhiron e parë sonte ka rastin që të regjistrojë fitoren e parë në ndeshje ndaj debutueses në Superligë, Besës.
Mirëpo, gjilanasit mund të kenë punë të vështirë nëse ekipi i Besës nxehet, sikur që u bë në çerekun e tretë të ndeshjes së xhiros së parë ndaj RTV 21-shit.
Besa në anën tjetër ka njërin ndër trajnerët më me emër në ekip, Boris Kurtovic, por çka vlen kjo nëse nuk arrihet fitorja në Gjilan ndaj Dritës.
Ndeshja RTV 21 - Kastrioti zhvillohet nesër.
Tabela aktuale para ndeshjeve.
SUPERLIGA, Xhiro II, Sonte:
19:00 Karagaç, Pejë | Peja-Trepça | Gjyqtarë: A. Vula, A. Rifati, V. Rraci; | |
19:00 Bashkim Selishta, Gjilan | Drita-Besa | Gjyqtarë: M. Gashi, E. Raça, I. Prebreza; | |
20:00 Sezai Surroi, Prizren | Bashkimi-Sigal Prishtina | Gjyqtarë: D. Mehmeti, Xh. Mumini, H. Grezda; |