PRISHTINA E RE

Shpëtim Babaj emërohet drejtor sportiv i debutuesve të Superligës
4 July, 2025 @15:05
Ekipi që do të debutojë në stinorin 2025/26 në Superligë, Prishtina e Re, ka emëruar sot edhe zyrtarisht ish-futbollistin e njohur të Superligës, që ka bërë edhe karrierë ndërkombëtare, Shpëtim Babaj, si drejtor sportiv të ekipit.
Prishtina e Re që në ditët e kaluara ka bërë të ditura ndarjet me disa nga futbollistët e ekipit, pasi që siguruan Superligën, pret shumë nga Babaj që të forcojë dhe të bëj ekipin në fjalë si skuadër stabile të Superligës.
“Jam bashkuar me një klub me ambicie të qarta dhe një strukturë të organizuar si KF Prishtina e Re. Objektivi ynë është të ndërtojmë një projekt të qëndrueshëm dhe konkurrues në futbollin vendor.
E dimë që kjo nuk është e lehtë, jemi në vitin tonë të parë në Superligë dhe na pret shumë punë përpara. Por, duke parë përkushtimin, organizimin dhe ambiciet që ekzistojnë brenda klubit, jam i bindur që do t’i arrijmë qëllimet tona.” — ka thënë Babaj.
Prishtina e Re fitoi Ligën e Parë - Grupi B dhe u inkuadrua direkt në Superligë. Ekipi në fjalë kur u themelua vite më parë, quhej Shkëndija e Hajvalisë, por gjatë rrugëtimit ndërroi emrin kur arriti në Ligë të Parë. Në stinorin 2023/24 ata ishin afër Superligës, por humbën ndeshjen e barazhit nga Feronikeli’74. Ndërkaq, në stinorin 2024/25 duke fituar Grupin B të Ligës së Parë, siguruan biletën direkte.
Prishtina e Re drejtohet nga trajneri Elon Berisha.