Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Shpjegimet fizike përse Golden State Warriors është dominues!

Shpjegimet fizike përse Golden State Warriors është dominues!


Shkruan: Blerim MYFTIU

6 May, 2016 @23:53

Veçantitë individuale të Curryt dhe ato ekipore të Golden State Warriors harmonizohen me rregullat fizike dhe krijojnë ekipin më dominues të këtij mileniumi.
Fenomeni më aktual basketbollistik në botë padyshim se është Golden State Warriors. Pritja më e madhe e stinorit ishte nëse ky kolektiv do të arrinte ta thyente rekordin e mbajtur nga Chicago Bulls, 20 vite të vjetër, prej më së shumti fitoreve brenda stinorit të rregullt. Në fund, shoqëria e Curryt arriti që për një fitore ta tejkaloi këtë rekord.

Përveç faktit sportiv, kësaj arritjeje të Warriorsave u dhanë dhe mundohen të jepen ende shpjegime shkencore. Njëri prej shpjegimeve qëndron te “shpikja” e mënyrës së re të shutimit të shënuesit të dytë më efikas të tresheve në NBA, Stephen Curryt (më detajisht në shkrimin “Curry – erëza më e re e basketbollit).

Si shuton Curry?

Curry, gjatë tentimeve për tri pikë, e lëshon topin nga dora për rreth 0.3 sekonda, që është së paku 0.1 sekonda më shpejt se shuterët e tjerë kryesorë të ligës. Ai e arrin këtë përparësi duke pasur kërcim më të ulët gjatë gjuajtjes dhe duke gjuajtur gjatë kërcimit, jo duke kërcyer së pari dhe pastaj gjuajtur. Ai gjuan më lart dhe krijon një hark më të rrëpirë, duke pasur mesataren e lartësisë maksimale të topit nga toka 4.94 centimetra. Kësisoj krijohet një diametër më i gjerë në kosh. “Nëse nuk mund ta ndryshosh madhësinë e topit, mund të ndryshosh madhësinë e cakut”, jep një shembull të veçantë, trajneri i 3-pikëshave në Dallas Mavericks, Gary Boren.

Në “Sports Ilustrated” jepen disa shënime të tjera statistikore të cilat ndihmojnë që të kuptohet dallimi i lojës së Golden Stateit me ekipet e tjera amerikane, dallim i cili ia siguron edhe epërsinë në ligë. Përveç dallimeve individuale të Curryt shihet qartë edhe dallimi ekipor nga të tjerët në ligë.

Loja në hapësirë më të gjerë dhe “ndarja” e topit

Me futjen e vijës së trepikëshit në basketboll, është zgjeruar edhe hapësira e lojës. Zgjerimi i hapësirës ku zhvillohet loja nënkupton që mbrojtjet duhet të mbulojnë hapësirë më të madhe duke krijuar boshllëqe dhe kësisoj mundësuar sulmeve mundësi për shënim. Warriors e ka zgjeruar edhe më tepër hapësirën e lojës në sulm, e cila gjë shpjegohet me qarkullimin e jashtëzakonshëm të topit dhe precizitetit po aq të jashtëzakonshëm të shutit.
Disa statistika ndihmojnë që kjo të kuptohet më lehtë. Derisa distanca mesatare e largësisë nga e cila është shënuar pika e të gjitha ekipeve në total të NBA-së në stinorin e rregullt që e lamë pas ka qenë 3.35 metra, ajo e Golden State Warriors ka dalë të jetë 3.81 metra.

Derisa zona aktive e lojës e të gjitha ekipeve në total të NBA-së për stinorin 2015-2016 del të jetë 17.74 metra katrorë, për Golden State Warriors kjo hapësirë është 22.67 metra katrorë. Kjo nënkupton që Curry dhe shoqëria e tij luajnë në një hapësirë që është për 27% më e gjerë se mesatarja e ekipeve të tjera. Kjo natyrisht se përkthehet në lëvizshmëri më të madhe të topit, boshllëqe më të mëdha në mbrojtjen e kundërshtarëve dhe mundësi më të lehta shënimi. Po qe se keni precizë të tillë në ekip, si Curry dhe Thompson, kur pothuajse çdo i dyti shut rezulton me kosh, suksesi i GSW nuk është thjesht punë fati apo rastësie!

Një statistikë e fundit që vë në pah dallimin është se ekipet e NBA-së mesatarisht shfrytëzojnë me sukses 58% të pasimeve për asist. Golden State Warriors këtu tregohet me 68% sukses. Rezultati i tërë kësaj shpjegon më shumë se që duhet këtë dominancë të verdhë-kaltërve që duket se do të kurorëzohet me titullin e dytë rresht. Edhe pse Curry del pak më përpara se të tjerët, ai mungoi në 5 ndeshjet e fundit. Megjithatë, “Luftëtarët” i fituan të gjitha ndeshjet dhe janë me një këmbë në finalen e Konferencës Perëndimore.


 
Të gjitha lajmet nga NBA