BRANIMIR PAVIC
Shpresojmë në gjysmëfinale
14 January, 2016 @9:14
Peja nuk ka të ndalur në asnjë garë. Ekipi verdhezi pa kurrëfarë telashi ka kaluar edhe pengesën e Levskit mbrëmë në kuadër të Grupit B të BIBL, ndërsa trajneri kroat i ekipit ka thënë se është i kënaqur nga lojtarët përkundër se kanë qenë në pushim të fundvitit.
“Kemi qenë në pushim dyjavor. Duam të arrijmë shumë këtë stinor dhe nuk guxojmë të lejojmë asnjë ndeshje të na ikë pa luajtur fortë,” ka thënë Pavic fillimisht për faqen zyrtare të BIBL.
“Jam tepër i kënaqur me lojën e treguar, për këtë edhe fituam në fund. Duam të jemi gjithmonë e më të mirë në BIBL. Faza e dytë e ndeshjeve do të jetë më e vështirë, por shpresojmë të jemi në dy pozitat që dërgojnë në gjysmëfinale,” ka shtuar Pavic.
Peja ka siguruar vendin e parë në Grupin B të BIBL. Verdhezinjtë kanë bilanc 6-1 aktualisht në grup dhe në ndeshjen e fundit presin Lovçenin në “Karagaç”.