NGA KONFERENCA
Shtriks kërkon sportivitet
26 November, 2013 @15:47
Ndeshje tepër të rëndësishme për Kosovën e ka quajtur drejtori i Balkan League, Shay Shtriks, ndeshjen derbi ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës që luhet nesër me fillim prej orës 17:30 në kuadër të BIBL.
“Qëndroj para jush duke kërkuar nga ju që kurrë të mos ndaleni së përkrahur ekipin tuaj të zemrës, por që në të njëjtën kohë të ruani shpirtin sportiv, fair-playin, dhe që në mënyrë të civilizuar të shprehni ndjenjat tuaja ndaj lojtarëve, trajnerëve dhe fansave të ekipit kundërshtar,” ka thënë mes tjerash Shtriks.
“Ju duhet të tregoni respekt jo vetëm për klubin tjetër por edhe për njerëzit që japin kaq shumë për zhvillimin e basketbollit në Kosovë – për udhëheqësinë e ekipit tuaj, për Federatën, për sponsorët, për Ligën Ballkanike, por ajo që është më e rëndësishmja është që të respektoni veten si fansa të vërtetë të basketbollit,” ka përfunduar ai duke i dëshiruar sukses pjesëmarrësve në këtë ndeshje.
Shay Shtriks ka qenë njeriu kryesor që ka inspektuar dy klubet tona për pjesëmarrje në këtë ligë. Ai deri më tani ka mbajtur disa trajnime në bashkëpunimin BIBL-FBK lidhur me avancimin e basketbollit dhe punonjësve të saj.