VUSHTRRIA FITON DERBIN

Foto: FCVushtrria/ fb
Solomon vendos derbin, Vushtrria në lojë për Superligë direkte!
27 March, 2025 @22:26
Nigeriani Theophilus Solomon kishte mund të jetë njeriu tragjik i ndeshjes. Por, 29 vjeçari pasi pa penalltinë e tij të mbrojtur nga portieri i Prishtinës së Re, rreth 10 minuta më vonë përmirësoi gabimin e tij, duke shënuar bukur me kokë pas harkimit në zonë të Daut Maxhunit.
Vushtrria kështu doli triumfuese në derbi ndaj Prishtinës së Re në kuadër të xhiros XX në Grupin B të Ligës së Parë, ku u ndeshën i pari dhe i dyti i renditjes tabelare - që tashmë janë në luftë direkte për vend të parë, vend ky që siguron direkt Superligën.
Për Prishtinën e Re, që mbeti me 10 lojtarë që nga minuta e 27-të e ndeshjes, kur Ermal Vitija mori të verdhën e dytë, pasi që rrëzoi Maxhunin në zonë dhe u shkaktua penalltia, në pjesë të dytë nuk gjeti rrjetën, pasi që mbrojtja e mysafirëve ishte e organizuar mirë. Bardhekaltërit vendas që ndeshjen e zhvilluan në “Sami Kelmendi” të Lipjanit sot, pësuan për herë të parë në pjesën pranverore të stinorit.
Prishtina e Re mbetet lidere e Grupit B, me 50 pikë nga 20 xhio. Vushtrria e dyta në renditje tash ka vetëm 4 pikë më pak se ata, kur kanë mbetur edhe 7 xhiro deri në fund të stinorit dhe gjithçka është e hapur për vend të parë.