XHIROJA E FUNDIT
Bashkimi - Peja, ndeshja kryesore e javës. BOROZANI/ Arkiv
Sot fillon java e fundit në Superligë për sivjet
19 December, 2014 @11:45
Skuadra e parë dhe ajo e fundit në radhitjen tabelare të Superligës, Sigal Prishtina dhe Kastrioti, do të përballen sot kundër njëra tjetrës në ndeshjen hapëse të xhiros së fundit të stinorit vjeshtor.
Prishtinasit, të cilët janë favoritë absolut në këtë ballafaqim, do të mundohen që me anë të fitores në Ferizaj ta kthejnë motivin e humbur nga humbja e fundit kundër Mornarit në Balkan League, dhe në të njëjtën kohë ta presin Vitin e Ri në krye të tabelës.
Edhe më e pamotivuar duket të jetë skuadra e Kastrioti, e cila në ndeshjen e fundit u mposht nga rivali i drejtpërdrejtë në luftë për mbijetesë, Besa.
Mungesë në radhët e Sigal Prishtinës tashmë dihet se është qendra Gary McGhee, i cili u largua ditë më parë nga skuadra, mirëpo duke pasur parasysh dallimin në cilësi ndërmjet skuadrave, prishtinasit nuk pritet të kenë aspak problem sonte.
Vëllaznimi - Besa, duel interesant
Ndeshja e cila mund të jep emocione, pritet të jetë ajo ndërmjet Vëllaznimit dhe Besës. Dy skuadrat të cilat nuk arritën t’i realizojnë pritjet e tyre parasezonale, dëshirojnë që me fitoren e xhiros së fundit t’i afrohen sa më shumë pjesës së sipërme në tabelë.
Vëllaznimi do të jetë i hendikepuar pa lojtarët kryesorë, Phil Brooks dhe Dino Hodzic, të cilët nuk luajtën as në ndeshjen e fundit kundër Pejës, sikurse që bënë edhe treshja e transferuar nga Trepça në fillim të stinorit, Imer Tahiri, Korab Prekazi dhe Besnik Azemi.
Më mirë se Vëllaznimi nuk qëndron as Besa, që i largoi gjashtë lojtarë, mirëpo amerikanët e sapo ardhur, Andre Armstrong dhe Ernest Freeman, mund të jenë shpëtimtarë të ekipit pejan.
Të dielën, dy ndeshje
Ndeshja kryesore e javës, ajo ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, si dhe ndeshja tjetër ndërmjet Yllit dhe Trepçës do të zhvillohen të dielën.
Pa dyshim që vëmendja kryesore do të jetë në Prizren, megjithëse edhe në Suharekë pritet të jetë një ndeshje e fortë, para tifozëve të flaktë të Yllit, të cilët i kanë mbushur përplotë shkallët e palestrës në të gjitha ndeshjet e këtij stinori.
Fitorja e fundit e Bashkimit si mysafir ndaj Trepçës, i ka rritur apetitet e skuadrës prizrenase për ndeshjen kundër Pejës, e cila në ndeshjet e fundit po tregon paraqitje të shkëlqyera, si në Superligë ashtu edhe në Ligën Ballkanike.
Peja tanimë nuk do ta ketë ndihmën e organizatorit slloven, Jan Mocnik, i cili u largua nga skuadra. Ai ishte basketbollisti më i dalluar i Pejës në ndeshjet e fundit, mirëpo mungesën e tij pritet ta mbulojë loja kolektive e pejanëve e cila po zbatohet me mjeshtëri nga trajneri Boris Kurtovic.
Terminet e xhiros së fundit në Superligë
E premte, 19 dhjetor | Kastrioti - Sigal Prishtina | Ora: 18:00 | |
E shtune, 20 dhjetor | Vëllaznimi - Besa | Ora: 19:00 | |
E diel, 21 dhjetor | Bashkimi - Peja | Ora: 19:00 | |
E diel, 21 dhjetor | Ylli - Trepça | Ora: 19:00 |