FRANKO STERLE

Sterle: Shpresoj të jetë vetëm një ditë e keqe për ne
20 March, 2021 @21:25
Trajneri i Bashkimit, Franko Sterle, pësoi një tjetër humbje me portokallezinjtë, duke u mposhtur kësaj radhe nga Peja me rezultat 65-79.
Pas ndeshjes trajneri kroat duke pranuar se luajtën dobët në këtë ndeshje, tha se shpreson që kjo të jetë vetëm një ditë e keqe për ta dhe të kthehen shpejt në rezultate pozitive.
“Që nga minuta e parë ishim të pafat. Nuk arritëm të kthehemi në lojë. Që nga minuta e parë nuk treguam energji, nuk treguam guxim, e as nuk treguam lojë ekipore gjë për të cilën u kam thënë që nga dita e parë që jam këtu. Nuk di çfarë të them tjetër, përveçse të shpresoj që kjo të jetë vetëm një ditë e keqe për ne”, tha Sterle.
Ndërkaq në pyetjen se çfarë duhet ndërruar ekipi për të arritur rezultat pozitive në ndeshjet e ardhshme, Sterle tha:
”Është vështirë të ndërrojmë atë që na duhet më së shumti, pasi që gjëja që na duhet më së shumti është rotacioni. Kemi momente të vështira, përballemi ndaj skuadrave që kanë 1 ose 2 lojtarë të mëdhenj që dominojnë nën kosh. Ne nuk kemi mundësi të tilla dhe po provojmë të bëjmë diç më ndryshe, por kjo është vërtetë shumë e vështirë të arrihet. Në këtë moment jemi në udhëkryq në mes të mbijetesës në ligë dhe qëndrimit në pozitën ku jemi për të arritur më shumë në Play Off”.
Për trajnerin Sterle kjo ishte vetëm ndeshja e katërt me Bashkimin.