GAME 4: MIAMI - SIXERS
Super Ben Simmons, Phily pranë gjysmëfinales
21 April, 2018 @23:30
Pas 48 minutave me basketboll fantastik, luftë të fortë dhe shumë emocione, skuadra e Philadelphias arriti ta mposhtë skuadrën vendase të Miamit, për ta arritur kështu fitoren e tretë të serisë.
Gjatë tre çerekëve të parë më afër fitores dukej Miami, te i cili sonte përmirësim të dukshëm në krahasim me dy ndeshjet e para pati Hassan Whiteside, ndërsa në formë dukej edhe Goran Dragic. Për më tepër, Dwayne Wade nga banka rezervë po kontribuonte mjaft shumë. Në anën tjetër, Sixers kishin mbi 20 topa të humbur qysh në çerekun e tretë.
Gjithsesi, të udhëhequr nga Ben Simmons, Sixers arritën të riktheheshin në lojë në fundin e çerekut të tretë dhe në fillimin e çerekut të katërt, për të krijuar epërsi dhe për ta ruajtur atë deri në fund përkundër paraqitjes fenomenale nga Dwayne Wade në minutat e fundit të përballjes.
Me mbrojtje të mirë nga Embiid dhe me udhëheqjen e Ben Simmons, Sixers e arriti fitoren e tretë të serisë, për të qenë kështu vetëm një fitore larg arritjes së fazës gjysmëfinale.
Sa i përket statistikave personale, JJ Redick ishte koshashënuesi më i mirë te Phily me 24 pikë, mirëpo më i dalluari ishte Ben Simmons me triple-double prej 17 pikëve, 13 kërcimeve e 10 asistimeve. Ky triple-double i realizuar sonte bën që Simmons të bëhet ‘rookie’ i parë që i arrin shifrat ‘magjike’ në Play Off që nga viti 1980, vit në të cilin Magic Johnson si ‘rookie’ e kishte arritur këtë gjë.
Te Miami koshashënuesi më i mirë sonte ishte Goran Dragic me 20 pikë të shënuara.
Ndeshja e radhës e serisë luhet në Philadelphia, takim në të cilin seria mund të mbyllet në rast se vendasit triumfojnë.