AKADEMIK-BASHKIMI

Foto: KB Bashkimi/ fb
Super Moss e Tmusic, Bashkimi historik arrin Final Fourin
4 April, 2018 @19:31
Bashkimi ka arritur të sigurojë Final Fourin e Balkan Ligës për herë të parë në histori të klubit.
Ekipi prizrenas edhepse u mposht sonte në Pllovdiv nga Akademik Bultex, 94-86, me rezultat të përgjithshëm nga dy ndeshjet, Bashkimi ka arritur të hyjë në katërshen më të mirë të BIBL.
Aaron Moss ka qenë njeriu i ndeshjes, pasi që Bashkimi në çerekun e tretë rrezikoi gjithçka, kur ishte duke pësuar me mbi 13 pikë nga ekipi bullgar. Mirëpo, Moss në çerekun e fundit ka shënuar 10 pikë radhazi për Bashkimin, shto këtu edhe saktësinë nga gjuajtjet e lira të Mikaile Tmusic, që shënoi katër herë radhazi për të arritur suksesin më të madh në histori të klubit në këtë garë.
Derisa pjesa e parë e ndeshjes kaloi barabartë, Bashkimi rrezikoi gjithçka në çerekun e tretë, por përmirësoi lojën në çerekun e fundit, posaçërisht në dy minutëshin vendimtar të ndeshjes, kur amerikani Moss që përfundoi takimin me 23 pikë, 11 kërcime e 8 asistime, nxorri ekipin nga disavantazhi i thellë.
E krejt në fund, Tmusic, u tregua shumë i saktë nga gjuajtjet e lira dhe shtoi edhe katër pikë vendimtare për kualifikim, derisa ndeshjen e përfundoi me 23 pikë e 7 kërcime.
Te ekipi bullgar Dimitar Dimitrov ka qenë më i dalluari. Ai ka shënuar 24 pikë, 15 kërcime e 2 asistime, që nuk mjaftuan për të kualifikuar ekipin tutje.
Përveç tij, ka qenë edhe Martin Durchev që është dalluar me 21 pikë, 6 kërcime e 6 asistime.
E te Bashkimi, që arriti për të parën herë këtë sukses në BIBL, përveç dyshes së lartpërmendur, kanë qenë edhe Fred Stutz që ka shënuar pikë dyshirore, 13, kurse të tjerët kanë shënuar sipas radhës: Altin Morina 8 pikë, 5 asistime; Urim Zenelaj 8 pikë, 4 kërcime; Qëndrim Briaj 6 pikë, 3 asistime; e Vincent Zollo 5 pikë, 3 kërcime.