TAY WALLER
Ta frikësojmë kundërshtarin me publikun
4 December, 2013 @9:51
Sigal Prishtina luan nesër ndeshjen e saj të pestë në ligën ballkanike, derisa mysafire në Pallatin e Rinisë së Sporteve është Craiova rumune.
Craiova mbrëmë u mposht nga Peja dhe sot arrin në Prishtinë për të zhvilluar edhe ndeshjen e dytë në Kosovë brenda javës.
E se sa i nevojitet Sigal Prishtinës fitorja e cila është në luftë për kreun e tabelës së Balkan League, vërehet edhe nga thirrja që i ka bërë publikut prishtinas amerikani Tay Waller.
“Dua që salla të jetë e stërmbushur ashtu që të frikësohet kundërshtari. Plisat duhet të vinë në numër sa më të madh dhe ta mbushin sallën. Duhet treguar të gjitha ekipeve që kemi tifozët më të mirë në botë,” ka thënë dhjetëshja prishtinase Waller, shkruan faqja e klubit në rrjetin social Facebook.
Takimi Sigal Prishtina - Craiova i takon xhiros së tetë të Balkan League, derisa është ndeshja e gjashtë e Prishtinës kurse e shtata për rumunët në ligën ballkanike.
Sigal Prishtina deri më tani ka regjistruar vetëm fitore në ligë ballkanike, hiq humbjen nga Galil Gilboa si mysafir në Izrael dhe është kandidat për vendin e parë në renditje pas këtyre xhirove të zhvilluara.