MEDIA
Të gjitha do të jenë dramatike
10 May, 2016 @10:24
Përballjet ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës kanë qenë tepër interesante këtë stinor, ndërsa kjo u vërtetua edhe në ndeshjen e parë të serisë finale.
Peja shënoi fitore në sekondën e fundit me pikë të Alban Veselit, ndërsa në një bisedë me Kohën Ditore, trajneri i Sigal Prishtinës, Antonis Constantinides, ka thënë se të gjitha ndeshjet do të kalojnë në këtë mënyrë.
“Mendoj se të gjitha ndeshjet me Pejën do të kalojnë me finish dramatik. Fatkeqësisht ne e humbëm një rast për të dalë në epërsi ndaj Pejës, por duhet harruar këtë dhe tani duhet fokusuar në ndeshjet e ardhshme të serisë,” është cituar të ketë thënë Constantinides për gazetën në fjalë sot.
Peja dhe Prishtina janë skuadrat më të forta në Superligën e Kosovës tashmë për vite me radhë dhe për herë të katërt radhazi takohen në finale të Play-Offit.
Vetëm këtë stinor, Peja e Prishtina janë takuar deri tash 9 herë, ku Peja ka fituar 5, ndërsa Prishtina 4 ndeshje.
Kampion i Kosovës do të shpallet ekipi që arrin 3 fitore së pari në serinë finale. Aktualisht seria është 1-0 në të mirë të Pejës, ndërsa ndeshja e radhës zhvillohet në Prishtinë.