ADINOVIC
Teleboysat kërkojnë finalen
15 September, 2013 @17:36
RTV 21 që bëri befasitë më të këndshme në stinorin e kaluar basketbollistik të Kosovës, kësaj radhe ka rritur apetitin.
Së paku kështu mendon trajneri boshnjak i skuadrës së tyre, Adin Adinovic, i cili parashikon që skuadra e tij do të mund të arrijë deri në finale të Play-Offit të Superligës së Kosovës në basketboll.
“Kemi skuadër për të arritur deri në finale. Edicionin e kaluar kemi pasur probleme pasi që skuadra nuk ka qenë e përgatitur si duhet për 40 minuta lojë. Kësaj radhe gjërat do të jenë ndryshe,” ka thënë Adinovic dje, gjatë prezentimit të skuadrës definitive të Teleboysave për stinorin e ri 2013/14.
Ujkan Karanezi, Samir Zekiqi dhe Eris Nushi janë përforcimet vendore të RTV 21 për këtë stinor, derisa nga të huajt ka mbetur vetëm turku Ersan Ozseven, ndërsa janë shtuar Marius Kasilevicius, Gregor Kolarevic dhe Bryce Cartwright.