TEUTA - BEROE
Teuta mposht të pamposhturin, merr lidershipin
6 March, 2019 @0:53
Debutuesja në BIBL, Teuta, ka arritur që t’ia dhurojë humbjen e parë ekipit bullgar Beroe në kuadër ligës ballkanike të martën mbrëma.
Durrësakët në saje të lojës së mirë në çerekun e parë dhe të dytë, kanë krijuar avantazh që përkundër mundit të madh të bullgarëve në pjesë të dytë, nuk ua shkriu epërsinë dhe me 87-85 [23-16, 24-21, 18-15 dhe 22-33] fituan ndeshjen.
Kjo ka qenë fitorja e tetë e Teutës në BIBL këtë stinor, ndërsa Beroe ka përjetuar humbjen e parë të sezonit. Me këtë fitore Teuta ka marrë lidershipin përkohësisht në garë, pasi që ka përfunduar ndeshjet e stinorit të rregullt dhe ka siguruar Play-Offin e garës.
Endrit Hysenagolli ka qenë i jashtëzakonshëm te Teuta. Ish lojtari i Bashkimit dhe Pejës ka shënuar 25 pikë, 18 kërcime dhe 1 asistim në ndeshjen që luajti pa pushim, derisa e përfundoi atë me indeks vlefshmërie, 41, që e bën atë më të mirin e ndeshjes.
Hysenagolli ka pasur edhe saktësi mahnitëse në këtë ndeshje, duke shënuar 11/13 për dy dhe 3/3 në gjujtjet e lira.
Me lojë të mirë te Teuta u dallua edhe amerikani CJ Wilson, që shënoi 24 pikë, 6 kërcime e 3 asistime në fitore, ndërsa te Beroe më efikasi ka qenë Conner Frankamp me 18 pikë.
Me këtë duel, Teuta ka përfunduar ciklin e ndeshjeve të fazës grupore në BIBL dhe tashmë pret të shikojë se në cilin vend do të përfundojë fazën e rregullt të stinorit, pasi që ka siguruar Play-Offin dhe është në pritje të kuptojë kundërshtarin e gjysmëfinales.