Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

OPINION

Tifozat Kuq e Zi, mes pasionit dhe padrejtësisë

Foto: TKZ

Tifozat Kuq e Zi, mes pasionit dhe padrejtësisë


Shkruan: Petrit Osmani

18 March, 2025 @23:34

Që nga viti 2003, kur u themelua grupi i tifozëve “Tifozat Kuq e Zi” (TKZ), ata kanë qenë zemra dhe shpirti i Kombëtares shqiptare të futbollit. Me flamuj, këngë, dhe zëra që kumbonin në çdo stadium ku luante Shqipëria, ata e kanë mbështetur ekipin kombëtar në çdo rrethanë, pa marrë parasysh humbjet e njëpasnjëshme apo vështirësitë financiare që shumë prej tyre kanë hasur për të ndjekur skuadrën e zemrës.

Sakrifica pa kufij për dashurinë kuq e zi

Në vitet kur Kombëtarja shqiptare luftonte për të mos u renditur në fund të grupeve kualifikuese dhe rezultatet e mira ishin lajm i rrallë, Tifozat Kuq e Zi nuk e ndalën asnjëherë përkrahjen. Ata shpenzuan për udhëtime të gjata dhe të mundimshme,  apo duke sakrifikuar nevoja të tjera jetësore, vetëm që të ishin aty, në tribunë, duke i dhënë zemër ekipit. Nga Kazakistani në Andorrë, nga Gjeorgjia në Islandë, nuk kishte rëndësi sa i largët apo i pamundur dukej destinacioni—TKZ ishin aty, me të njëjtin pasion dhe përkushtim.

Asnjë humbje, asnjë zhgënjim nuk e lëkundi dashurinë e tyre për Kombëtaren. Kur të tjerë mund të dorëzoheshin, ata vazhduan të këndojnë. Kur të tjerë mund të ndalonin së besuari, ata vazhduan të shpresojnë.

Rezultatet erdhën, por tifozët u lanë pas dore

Pas shumë vitesh vuajtjesh, sakrificash dhe besnikërie të palëkundur, Kombëtarja shqiptare më në fund u ngrit në nivele të reja. Kualifikimi historik në Euro 2016 ishte një shpërblim për breza të tërë tifozësh që kishin ëndërruar ta shihnin Shqipërinë në një kompeticion madhor. Si debutues, rrugët e Francës ishin të mbushura me ngjyrat kuq e zi, duke lënë në hije lajmet për ekipin e futbollit që po mësohej me këtë event.  Pastaj erdhi dhe Euro 2024—një tjetër sukses që tregoi se Shqipëria nuk është më një skuadër periferike, por një ekip që di të konkurrojë.

Megjithatë, ndërsa Kombëtarja arriti suksese, ndodhi një fenomen i hidhur: ata që e kishin mbështetur pa kushte, ata që kishin mbushur stadiumet edhe kur shpresat ishin minimale, ata që ishin gjithmonë aty filluan të anashkaloheshin. Për Euro 2024, shumë anëtarë të TKZ u lanë pa bileta, ndërkohë që stadiumet mbusheshin me njerëz që nuk kishin ndjekur ekipin në momentet e vështira. Faqet online të biletave u bllokuan, spekulantët përfituan, dhe ata që vërtet e kishin merituar të ishin në tribunë, mbetën jashtë.

Pasioni nuk shuhet, por meriton respekt

Tifozat Kuq e Zi kanë qenë gjithmonë një shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë për Kombëtaren. Ata nuk janë thjesht spektatorë; ata janë pjesë e ADN-së së këtij ekipi. Media, trajnerë e lojtarë të huaj UEFA, FIFA i kanë vlerësuar shpesh për atmosferën unike që krijojnë,  dhe për nga numri i madh në transferta, duke habitur jo pak njerëz se Shqipëria e varfër ka kaq shume tifozë të zjarrtë.

Tani është koha që Federata Shqiptare e Futbollit dhe institucionet përkatëse të tregojnë vlerësim të merituar për këtë grup tifozësh. Nuk mjafton vetëm një “faleminderit” në media—duhet një sistem transparent dhe i drejtë për shpërndarjen e biletave, duhet t’i jepet prioritet atyre që vërtet kanë qenë aty gjithmonë, tek e fundit edhe në ekonomi funksionon që blerësi i përhershëm ka prioritet.

Për 21 vite, TKZ ka treguar se dashuria për Kombëtaren është më e fortë se çdo rezultat, se çdo politikë, se çdo interes financiar. Andaj edhe këto lloj vendimesh të ngutshme, nuk i zbrapsin dot, pasi është pasioni ai që e ka mbajtë gjallë këtë frymë në gjithë këto vite, e ai pasion është pjekur për 2 dekada, e koha e ka tregu se nuk thyhet lehtë.



i:

Opinionet nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë

 
Të gjitha lajmet nga Kualifikimet për Botëror