KUQEZINJTË NË GRUP LUFTARAK
Shqipëria ndaj Anglisë e Serbisë në Grupin K drejt Botërorit 2026
14 December, 2024 @19:30
Grup i vështirë për kuqezinjtë ka dalë në shortin për Botërorin e vitit 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Kanadë dhe Meksikë. Në Grupin K kualifikues, kuqezinjtë do të kenë përballë dy herë finalistin e fundit të EUROs, Anglinë, pastaj rivalin “problematik”, Serbinë dhe pas vazos së tretë ku doli Shqipëria, në të katërtën erdhi Letonia e në fund edhe Andorra.
Shqipëria u shortua në Grupin K, që është grup me pesë skuadra pjesëmarrëse në luftë për vendin e parë që siguron biletën për Botëror dhe vend të dytë që jep mundësi kualifikimi përmes playoffit në mars të vitit 2026. Grupi me pesë ekipe është grup që nuk përmban finalistë të Ligës së Kombeve dhe nis më herët (mars 2025) ndeshjet në krahasim me grupet që kanë çerekfinalistë të Ligës së Kombeve.
GRUPI K KUALIFIKUES PËR BOTËROR:
1. Anglia
2. Serbia
3. Shqipëria
4. Letonia
5. Andorra.
Ndërkaq, ajo që do të jetë interesante është se përballja e parë e Shqipërisë është ndaj Anglisë, ku te këta të fundit do të debutojë selektori i ri i kombëtares së tyre, gjermani Thomas Tuchel. Shqipëria do të jetë mysafire e Anglisë, me shumë gjasa në “Wembley”-n e famshëm në mars, para se të presë Andorrën në shtëpi. Qershori vë përballë Shqipërinë ndaj Serbisë, kurse pastaj udhëtohet në Letoni.
Në shtator të vitit 2025 Shqipëria pret Letoninë para se të udhëtojë në Serbi në tetor, kurse në nëntor kuqezinjtë mbyllin ciklin e rregullt kualifikues duke qenë mysafirë të Andorrës dhe në fund, presin Anglinë.
ORARI I NDESHJEVE TË SHQIPËRISË:
20:45 | 21 mars 2025, Anglia - Shqipëria
20:45 | 24 mars 2025, Shqipëria - Andorra
20:45 | 7 qershor 2025, Shqipëria - Serbia
20:45 | 10 qershor 2025, Letonia - Shqipëria
20:45 | 9 shtator 2025, Shqipëria - Letonia
20:45 | 11 tetor 2025, Serbia - Shqipëria
20:45 | 13 nëntor 2025, Andorra - Shqipëria
20:45 | 16 nëntor 2025, Shqipëria - Anglia.
Botërori në SHBA, Kanadë dhe Meksikë do të jetë i pari me 48 shtete pjesëmarrëse, ndërsa nga konfederata evropiane e futbollit numri i shteteve pjesëmarrëse është ngritur prej 13 në 16.