BISEDA PËR SELEKTOR TË RI!
Trajneri spanjoll synim i FFK-së
11 December, 2023 @23:45
Roberto Moreno është emri me të cilin zyrtarë të lartë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), përfshirë kryetarin, janë takuar sot në Stamboll të Turqisë.
Njoftimin e ka dhënëKoha.net, ndërsa ka bërë të ditur se takimi është mbajtur në Stamboll, derisa drejtuesit e FFK-së janë duke u munduar ta bindin spanjollin 46-vjeçar për tu bërë përzgjedhës i Kosovës në futboll.
Kush është Roberto Moreno?
Roberto Moreno Gonzalez, i lindur më 19 shtator 1977 është nga Barcelona. Ai ka punuar si ndihmës i Luis Enriques derisa ky drejtonte Spanjën. Për pak kohë ka drejtuar edhe ekipin A të Spanjës. Para kësaj, ka qenë ndihmës-trajner i Romës, Barcelonës dhe Celtës. Së fundi, përgjatë viteve 2019-2020 ka qenë trajner i parë i Monacos, ndërsa 2021-2022 ka drejtuar Granadën.
Në total, ai ka 35% fitore në karrierë si trajner i parë në të gjitha ekipet që ka drejtuar.
Përndryshe, në një artikull të the Guardian Moreno përmendet të ketë qenë jolojal dhe tepër ambicioz nga Luis Enrique, i cili edhe e ka larguar atë nga stafi i trajnerëve dhe shoqëria e tij. Përkundër se Moreno kishte thënë se nuk i ka merituar fjalët e Enriques, ai kishte vazhduar më tej me deklarata kontraverse.
Në kohën kur u largua nga Monaco, ai pohoi se disa lojtarë dhe anëtarë të stafit të ekipit kishin qarë sepse ai nuk po vazhdonte me klubin. Ndërsa kur u largua nga Granada, kjo kishte ndodhur në heshtje. E kapiteni i ekipit përkundër se kishte thënë se i besojnë Morenos, të tjerët nuk ishin shprehur fare - duke bërë të ditur se ditë më të mira do të vinë për klubin e tyre.
Si do të ishte ai te Kosova?
Sipas asaj që është parë, Moreno aplikon kryesisht shtrirjen 4-4-2 të lojtarëve në fushë. Këtë do të mund ta bënte edhe te Kosova, nëse do të arrihej marrëveshja. Me ekipet e tij ai ka praktikuar lojë sulmuese, me bazë mbrojtjeje të fortë, që i përshtatet Kosovës. Por, a do të ketë lojtarë Kosova që do të mund t’i përshtateshin skemave të spanjollit mbetet pyetje pa përgjigje për momentin.
Dardanët qe sa kohë lëngojnë në mesfushë. Futbollistët e rënë nga forma në qendër të mesfushës kanë shfaqur problem më së shpeshti në lojë të ekipit. Së fundi, ka qenë Zyba që ka dhënë shpresa për të ardhmen.
FFK-ja nuk e ka problem të emërojë Morenon siç po duket. Por, pyetja është a do të mund t’ia ofrojë kushtet financiare që ai i kërkon. A do të bëj Moreno marrëveshje financiare pak më të butë, për të marrë bonuse në rast të ndonjë arritjeje befasuese të Kosovës!
Koha do të tregojë më së miri. Liga e Kombeve në shtator-nëntor të vitit 2024 do të jetë kyqe për mundësi kualifikimi për në Botëror. Do të ishte sukses i madh të fitohet Liga C, cilido kundërshtar që del në short. Kjo do të siguronte playoff për Kosovën, pasi që në kualifikime të rregullta për Botëror, sigurimi i kalimit është shumë i vështirë për shkak të numrit më të vogël të ekipeve që marrin bileta për Botëror, sesa për një evropian. Kosova së fundi u drejtua nga Alain Giresse, ndërsa kualifikimet i përfundoi me sllovenin Primoz Gliha, që ishte në detyrë deri në fund të ciklit kualifikues. Me të përfunduar kualifikimet, me rezultate zhgënjyese, Gliha u largua pasi i përfundoi marrëveshja me FFK-në.
Në njoftimet e fundit është bërë e ditur se oferta e fundit e FFK-së për Morenon ka qenë 600 mijë euro rrogë vjetore për te dhe stafin e tij. Ndërsa spanjolli do të jep përgjigjen e tij definitive deri nesër mbrëma.