ZYRTARISHT, PRIMOZ GLIHA SHKON!
FFK zyrtarizon: Gliha shkon, pas analizës së thellë do të merren masa
22 November, 2023 @15:25
Primoz Gliha prej sot nuk është më selektor i Kosovës. Trajneri slloven që mori përkohshëm drejtimin e kombëtares pas shkarkimit të Alain Giresse nga posti, ka qenë timonier i Kosovës prej shtatorit duke realizuar fitoret e para në grup, por pa mundësi që të sigurojë kualifikimin.
E humbja e mbrëmshme nga Bjellorusia bëri që Kosova të përfundojë e pesta në renditje, më ulët sesa që ishte në fillim kur tërhiqej shorti prej vazove. Ndërkaq, një ditë pas ndeshjes zhgënjyese, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dalë me njoftim publik.
“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se me përfundimin e ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024, ka përfunduar edhe marrëveshja me trajnerin e deritanishëm Primozh Gliha.
FFK-ja e falënderon përzgjedhësin Gliha për punën e tij në krye të ekipit kombëtar në gjashtë ndeshjet kualifikuese të zhvillura pas shkarkimit të ish-përzgjedhësit, Alain Giresse.
Federata e Futbollit e Kosovës tashmë ka filluar analizimin e thellë të situatës aktuale në ekipin kombëtar A dhe pas kësaj analize do të merren masat adekuate dhe veprimet e ardhshme, përfshirë edhe angazhimin e përzgjedhësit të ri që do t’i prijë ekipit kombëtar.”