NJË EMËR I RI NË SFOND!
Mediat zvicerane: André Breitenreiter mund të bëhet selektor i Kosovës
19 December, 2023 @14:13
Sipas një njoftimi të lëshuar nga zviceranja “20minuten” André Breitenreiter mund të bëhet përzgjedhës i ri i Kosovës në futboll. Kosova ka ndarë rrugët me selektorin e përkohshëm Primoz Gliha me të përfunduar kualifikimet për Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.
Kosova mbylli kualifikimet jo mirë, duke përfunduar e pesta në grup - mëposhtë sesa që ishte e ranguar nga vazot në fillim, para tërheqjes së shortit. Më e dobët se Kosova në grup ka qenë vetëm Andorra, ndërsa nga grupi në evropian shkuan Rumania dhe Zvicra. Kosova përfundoi nën Izraelin dhe Bjellorusinë.
Një takim në ditët vijuese?
Gjermani André Breitenreiter është 50 vjeçar aktualisht ndërsa në karrierën e tij si trajner ka drejtuar kryesisht ekipet gjermane, ndërsa prej ekipeve zvicerane ka drejtuar Zurichun në vitet 2021-2022. Ai së fundi ka qenë trajner i Hoffenheimit në Bundesligë në stinorin 2022/23.
Sipas mediumit Spox, Breitenreiter te Hoffenheimi është paguar 1.5 milionë euro për një stinor. Mbetet të shihet nëse do të arrihet akordi me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ndërsa “20 minuten” ka shkruar se janë bërë diskutime konstruktive dhe një takim mes palëve pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Synimi për sukses
Për më tepër, “20 minuten” ka shtuar se Kosova mund të rikthehet në koceptin që ka qenë i suksesshëm në të kaluarën, pasi që edhe Bernard Challandes si ish-trajner i Zurichut ka qenë përzgjedhës i suksesshëm te Kosova, që për pak i kualifikoi në EURO 2020. Challandes është selektori më i sukesshëm në histori të Kosovës.
Kjo bazohet në atë që André Breitenreiter ka punuar me Zurichun në të kaluarën ndërsa njeh nga afër futbollistët si Fidan Aliti dhe Mirlind Kryeziu, me të cilët ka punuar në të kaluarën. Gjermani ka punuar me Hoffenheimin në stinorin e kaluar, ndërsa u nda prej klubit në shkurt të këtij viti, prej kur edhe është trajner i lirë në treg.
Përndryshe, deri vonë u folë për spanjollin Roberto Moreno, me të cilin FFK kishte edhe takim në Stamboll, por ish-ndihmësi i Luis Enriques në reprezentacionin e Spanjës në fund vendosi që të merr drejtimin e ekipit rus, Sochi.