BRENDA 24 ORËVE SHKARKIMI DHE EMËRIMI
Tirana largon Shkëmbin, rikthen Maganin në krye
6 November, 2024 @15:03
Brenda vetëm një dite Tirana ka shkarkuar trajnerin dhe ka sjellë të riun në detyrë. Ekipi nga kryeqyteti i Shqipërisë mbrëmë njoftoi zyrtarisht për ndarje rrugës me trajnerin Bledi Shkëmbi i cili ka drejtuar edhe ekipet e Kosovës si Ballkani e Liria.
Ndërkaq sot bardhekaltërit nga Tirana bënë të ditur se kanë sjellë në radhët e ekipit Gugash Maganin, i cili rikthehet aty pas gati një dekade.
“KF Tirana njofton largimin e trajnerit Bledi Shkëmbi. Klubi dhe trajneri kanë gjetur marrëveshjen për të mbyllur bashkëpunimin. Shkëmbi është ndarë duke u përshëndetur me skuadrën dhe stafin teknik. KF Tirana e falënderon trajnerin për kontributin e tij si dhe vlerëson punën e bërë përgjatë qëndrimit të tij në kampin bardh’e blu.” — shkroi mbrëmë KF Tirana në njoftim.
Ndërsa sot publikoi njoftimin për ardhjen e trajnerit të ri. Magani një kohë punoi edhe në Kosovë, duke drejtuar Trepçën’89. Së fundi, përgjatë stinorit të kaluar, trajneri 59-vjeçar drejtoi Lushnjen.
“Gugash Magani është trajneri i ri i KF Tirana.
Klubi i Futbollit Tirana emëron në krye të pankinës bardheblu trajnerin Gugash Magani.
Magani ka qenë edhe më parë në krye të Tiranës në rolin e trajnerit dhe është njohës i mirë i kampit bardh’e blu. Ai sëbashku me Zv. trajnerin Klodian Dervishi kanë marrë nën drejtim skuadrën në seancën stërvitore të ditës së sotme.” — bëri të ditur KF Tirana.
Aktualisht KF Tirana është e shtata në renditje të tabelës së Superiores shqiptare me një pikë më shumë sesa Bylisi që është i dhjeti, i fundit në renditje që ka 10 pikë. Nga 11 pikë si Tirana kanë edhe Skënderbeu e Laçi. Liderja Vllaznia ka 21 pikë pas 12 xhirove të luajtura.