MIQËSORE
Tirana - Sigal Prishtina, miqësore në Ulqin
22 September, 2016 @8:34
Që fundjava të jetë më atraktive për basketbolldashësit, mund të udhëtojnë në Ulqin për të parë një miqësore ndërmjet Tiranës, që do të debutojë këtë stinor në ligën ballkanike dhe Sigal Prishtinës, kampione aktuale aty. Ora e saktë e ndeshjes nuk është bërë e ditur.
Njoftimin e ka dhënë gazeta tiranase Sport Ekspres sot, duke bërë të ditur se skuadrat e kryeqendrave do të zhvillojnë takim miqësor në kuadër të përgatitjeve të tyre para nisjes së stinorit të ri.
Tirana së fundi është përforcuar me Manuel Johnsonin nga Teodo, kurse ka kthyer në Shqipëri edhe qendrën e dalluar të kombëtares, Endrit Hysenagolli, që për tre stinorët e fundit ka qenë pjesë e Bashkimit të Prizrenit.
Tirana do të jetë pjesë e ndeshjes zyrtare hapëse të BIBL për këtë stinor, kur në “Asllan Rusi” të Tiranës pret Trepçën e Mitrovicës, gjithashtu debutuese në këtë garë më 10 tetor 2016.
Në anën tjetër, Sigal Prishtina duelin e parë të BIBL e luan ndaj Beroes, më 11 tetor 2016 në “Pallatin e Rinisë dhe Sporteve”.