TEAM OF THE WEEK

TOP 5-shja e javës në Ligën e Femrave (6)
18 November, 2019 @22:08
Pas ndeshjeve të përfunduara të xhiros së gjashtë në Ligën e Femrave në basketboll, TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e javës bazuar në performancat individuale të lojtareve.
Ekipin e javës e përbëjnë: Enisa Kamerolli (Prishtina), Jeta Zeka (Bashkimi), Vlera Vraniqi (Bashkimi), Marigona Rushiti (Prishtina) dhe Valbona Bytyqi (Penza).
Enisa Kamerolli dhe Marigona Rushiti ishin më të dalluarat nga Prishtina, në fitoren kundër Vëllaznimit. Rushiti ishte koshashënuesja më e mirë me 27 pikë, kurse Kamerolli ishte një asistim larg shifrave triple-double. Ajo luajti me 12 pikë, 12 kërcime e 9 asistime.
Vashat e Bashkimit nuk u mposhtën as në ndeshjen e gjashtë të stinorit, derisa triumfuan ndaj Trepçës me rezultat 32-87.
Te Bashkimi nuk luajtën shumica e lojtareve të pesëshes së parë, por lojtaret që ishin në parket me sukses e përfunduan ndeshjen. Vlera Vraniqi dhe Jeta Zeka me performancat e tyre gjetën vend në TOP 5-shen e javës.
Vraniqi luajti me 18 pikë, 5 kërcime, 5 asistime e 2 topa të rrëmbyer, derisa Zeka u dallua me 16 pikë, 7 kërcime, 7 asistime e 5 topa të rrëmbyer.
Penza e mposhti Kastriotin me rezultat 70-65. Rolin kryesor në fitoren e skuadrës pejane luajti kapitenja Valbona Bytyqi. Bytyqi me 29 pikë, 16 kërcime e 3 asistime, ishte më e mira në parket.