BARCHOVSKI

BalkanLeague.net
Trajneri i Rilskit, duket optimist
20 January, 2015 @15:17
Rosen Barchovski, trajner i ekipit bullgar, Rilski Sportist, që sonte luan ndaj Pejës në Karagaç, ka thënë se ekipi i tij nuk do të udhëtojë si turist në Pejë.
“Peja është një ekip shumë i fortë i Balkan League. Kanë cilësi në çdo pozitë. Nuk kanë bankë të gjatë, por me 8 lojtarë që luajnë, janë tepër të mirë thuajse në çdo pozitë,” është shprehur bullgari për faqen zyrtare të ligës ballkanike.
“Ne kemi Zarko Rakocevicin e lënduar, mirëpo jam realist. Ne dimë të luajmë ndaj kundërshtarëve të vështirë dhe këtë e kemi treguar edhe në ndeshjet e mëparshme. Ne duhet të luajmë mirë, pa marrë parasysh atmosferën,” shtoi ai.
“Me një fitore, sonte ose në ndeshjen e radhës ndaj Kumanovës, ne do të nxjerrim një pozitë të mirë në tabelë për vazhdim të garave,” ka thënë ndër të tjera Barchovski, që do të tentojë t’ia shkaktojë verdhezinjëve humbjen e parë të stinorit në Karagaç.
Sidoqoftë, deklaratat e trajnerit të Rilskit mbetet të shihen pas disa orëve nëse do të vërtetohen, pasi që Peja deri më tash është treguar e pakapshme në shtëpi edhe pse ka pasur oscilime në lojë.
Peja nuk është mposhtur asnjëherë në Karagaç këtë stinor, derisa Rilski ka arritur vetëm një fitore nga 3 ndeshje si mysafir në BIBL.
Peja është lidere aktuale e Grupit A, me bilanc 4-3 dhe luan sonte ndeshjen e fundit të fazës së parë grupore, derisa Rilski ka bilanc neutral 3-3 dhe gjendet në pozitën e katërt të tabelës që përmban 5 ekipe.