TREPÇA
Trepça ankohet në FIBA për dënimin në BIBL
18 January, 2017 @16:46
Humbja me rezultat zyrtar 20:0 dhe dënimi prej 5 mijë eurove nga Liga Ballkanike për skuadrën e Trepçës në ndeshjen ndaj Pejës, e ka detyruar drejtuesit e Trepçës që të ankohen në FIBA.
Ndeshja ndërmjet Trepçës dhe Pejës, e zhvilluar më 11 janar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ishte ndërprerë gjatë çerekut të tretë për shkak të hudhjes së gjësendeve nga tifozët vendas, me ç‘rast gjyqtarët kërkuan zbrazjen e sallës, por më pas ndeshja nuk vazhdoi.
Kështu, sekrektari i klubit mitrovicas, Kemajl Muja, në një prononcim për gazetën Zëri, tha se vendimi i Ligës Ballkanike është i padrejtë dhe për këtë arsye Trepça është ankuar edhe në FIBA.
“Ne i kemi kryer obligimet që kishim ndaj FIBA-s dhe do ta zhvillojmë ndeshjen e së mërkurës mbrëma ndaj Pejës. Mirëpo, edhe ne i kemi pakënaqësitë tona në Ligën Ballkanike, pasi në këtë rast na është bërë një padrejtësi. Për këtë, e kemi bërë një ankesë në FIBA pasi kemi konsideruar se loja me Pejën nuk është dashur të ndërpritej dhe ajo do të duhej të vazhdonte pas zbrazjes së palestrës, njëjtë siç ka ndodhur së fundmi në një ndeshje kampionale në Turqi. Ne e kemi zbrazur palestrën me kohë dhe nuk kishte arsye të mosvazhdimit të lojës. Andaj, ne kërkojmë që loja me Pejën ose të vazhdojë aty ku ka mbetur, ose të përsëritet nga fillimi,” ka thënë Muja për Zërin.
Peja dhe Trepça sot e zhvillojnë ndeshjen kthyese në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ndërsa Trepça duhet të fitojë patjetër për të shpresuar kualifikimin në fazën e dytë.