NË PRIZREN
Trepça fiton derbin ndaj Lirisë
18 August, 2024 @21:28
Dueli derbi i xhiros së parë të stinorit të ri të Ligës së Parë - Grupi A, ku Liria e rënë nga Superliga u takua me Trepçën e riorganizuar këtë verë pa rreth 1 mijë shikues në “Përparim Thaçi” të Prizrenit, por festa shkoi në fund te kundërshtari.
Kjo, pasi që Trepça falë golashënuesit të dalluar të tyre Moustapha Ba, ka shënuar dy herë në pjesë të parë të ndeshjes për të siguruar fitoren në fund me rezultat, Liria 1-2 Trepça [Egzon Qerimi 66’ - Moustapha Ba 38’, 44’].
Mitrovicasit e drejtuar nga Emin Baliqi kështu morën tri pikët e para në stinorin e ri në një mysafirllëk të vështirë, ndërsa ekipi vendas i drejtuar nga Granit Begolli përkundër kërkimit të shumtë në pjesë të dytë, pos golit të Egzon Qerimit për të zbutur epërsinë e kundërshtarit, nuk arritën më shumë.
Në xhiron që vjen, Liria përsëri është vendase dhe pritet të ketë punë më të lehtë ndaj Rahovecit. Ndërkaq Trepça, që për synim të pastër ka Superligën pas riorganizimit veror, pret ekipin e ri në Ligë të Parë, Besa Peja, të cilët morën vendin e Phoenixit përmes fuzionimit, edhe pse këta të fundit matematikisht kishin rënë nga Liga e Parë, por për shkak të përjashtimit të Vllaznisë dhe Ulpianës nga Liga e Parë - B në stinorin e kaluar, asnjë skuadër nuk ra nga Liga e Parë.