BASHKIMI-TREPÇA
Trepça fiton derbin, ngritet
3 November, 2018 @20:51
Një minutë e gjysëm para fundit të ndeshjes Besnik Azemi, që ishte koshashënuesi më i mirë i Trepçës në fitore, barazoi rezultatin 84-84.
E pas barazimit, kampioni Bashkimi nuk shënoi më pikë. Tentimet e humbura të Bashkimit, në anën tjetër, Mark Dorris shënoi treshe e krejt në fund Dwayne Miner edhe një pikë nga gjuajtja e lirë për fitoren e madhe të mitrovicasve.
Trepça fitoi ndaj Bashkimit në Prizren 88-84, ndërsa kjo është fitorja e dytë me radhë për mitrovicasit e drejtuar nga Ilir Selmani që duket se po këndellen tash.
Vendasit, që ishin në seri prej dy fitoreve radhazi nuk arritën të bëjnë më shumë në fund. Dy prova për treshe në 90 sekondat e fundit nuk hynë në kosh, e këndej mysafirët s’gabuan dhe fituan.
Besnik Azemi shënoi 25 pikë, 6 kërcime e 4 asistime në fitore, ndërsa 20 pikë të tjera i dha Mark Dorris që nuk pushoi asnjë minutë, shto këtu edhe 10 asistime për të përfunduar ndeshjen me double-double.
Te Bashkimi, dyshja e huaj, Mike Martin dhe Jordan Capps shënuan mbi gjysmën e pikëve të skuadrës, që përsëri nuk doli mjaft. Martin dha 28, ndërsa Capps 26 pikë, 8 kërcime.
Pas kësaj ndeshjeje Trepça ka bilans 2-5, ndërsa Bashkimi 3-4.