NË MITROVICË
Trepça gati për ndeshjen e parë si vendas
17 October, 2016 @20:15
Skuadra e Trepçës duket të jetë gati për ndeshjen e parë si vendas në kuadër të ligës ballkanike.
Ekipi mitrovicas ka vënë në shitje biletat për ndeshje, ndërsa dëshiron që të shënojë fitore para publikut të vetë ndaj ekipit maqedonas, Karpos Sokoli.
Derisa Trepça në Superligë të Kosovës ka nisur më së miri, duke shënuar dy fitore në dy duelet e para, në BIBL është mposhtur nga Tirana në ndeshjen e parë.
Karpos Sokoli në anën tjetër, nuk ka shënuar ende fitore këtë stinor. Ekipi maqedonas që garon në ligën e Adriatikut ka regjistruar 5 humbje nga 5 ndeshje në këtë ligë dhe për më tepër edhe në BIBL ka nisur me humbje, kur u mposht në xhiron e parë bindshëm nga Sutjeska 60-94.
Basketbollistët e huaj si Jeremy Wise e Frederic Stutz kanë qenë më të dalluar këtë stinor te ekipi i drejtuar nga Neven Plantak, ndërsa nga forcat vendore po dominon reprezentuesi i Kosovës, Samir Zekiqi.
Duke llogaritur edhe në përkrahjen e parezervë të tifozëve të zjarrtë të ekipit, palestra “Minatori” shpresohet t’i sjellë fitoren e parë Trepçës në një garë ndërkombëtare, në vitin debutues për ekipin.