HIDHET SHORTI

Foto: FFK
U21: Kosova mëson kundërshtarët e grupit për “EURO’27 Shqipëria & Serbia”
6 February, 2025 @11:03
Derisa Shqipëria U21 dhe Serbia U21 si bashkorganizatore të EUROs kanë të sigurta vendin në Kampionatin Evropian të të rinjve për vitin 2027, Kosova sot në mëngjes ka mësuar kundërshtarët e grupit me të cilët do të duhet të luftojë për të siguruar një vend aty.
Kosova U21 është shortuar në Grupin A kualifikues, ku si kundërshtarë në rrugëtimin për EUROn e vitit 2027 do të ketë U21-shet e Spanjës, Rumanisë, Finlandës, Qipros dhe San Marinos. Kualifikimet për EUROn në fjalë fillojnë në mars të këtij viti, kurse ndeshjet luhen deri në tetor të vitit të ardhshëm. Pas kësaj ka edhe playoff.
EURO U21 që mbahet në Shqipëri e Serbi në vitin 2027 zyrtarisht do të nis në qershor të vitit 2027. Hapja e evropianit do të bëhet në “Karadjordje” të Novi Sadit, kurse finalja do të luhet në “Arena Kombëtare” të Tiranës.
Sistemi kualifikues për EURO U21 është kështu: fituesit e secilit grup kualifikues sigurojnë pjesëmarrjen në EURO U21, bashkë me vendin e dytë më të mirë me pikë (ku bëhen 9 shtete). Vendet tjera të dyta luajnë playoff për të mbushur edhe katër vendet e zbrazta, që bashkë me nikoqirët (Shqipërinë dhe Serbinë) plotësojnë 16 shtetet pjesëmarrëse në evropian.
Në kualifikimet për EURO U21 që mbahet këtë vit në Sllovaki, Kosova përfundoi e katërta në grup, pas Gjermanisë, Polonisë dhe Bullgarisë, duke e lënë pas Estoninë dhe Izraelin.
Kosova U21 aktualisht drejtohet nga Afrim Tovërlani. Së fundi, gjatë janarit të këtij viti kreu i FFK-së Agim Ademi emëroi ish-lojtarin e Kosovës, Hekuran Kryeziu.