U-18

Fotografi e vashave U-18 të përfaqësueses së Kosovës, pas një stërvitjeje në fazën përgatitore në Prizren.
Udhëtojnë për sukses
11 March, 2013 @11:20
Përfaqësuesja e Kosovës U-18 ia ka nisur fazën përgatitore para turneut Basketball Wien 2013. Ato fillimisht përgatitjet i kanë nisur në Prizren, ndërsa do të udhëtojnë edhe në qytetet tjera të Kosovës ku do të vazhdojnë me stërvitje.
Trajnerja Elinda Musliu në përgjithësi është e kënaqur nga skuadra dhe premton se Kosova do të udhëtojë për t’u prezentuar sa më mirë në Vienë të Austrisë.
“Faza përgatitore po shkon mirë. Kemi filluar në Prizren përgatitjet me 6 mars, e pastaj do të udhëtojmë për t’i vazhduar ato në Gjilan e në fund edhe në Prishtinë,” ka thënë Musliu në fillim.
“Prezentimi sa më i mirë në një turne europian është synimi ynë primar, ndërsa para nisjes do të zhvillojmë ndeshje miqësore me skuadrën e Sigal Prishtinës.”
Sipas Musliut, përzgjedhësja Elvira Dushku, ka bërë punë të mirë në zgjedhjen e basketbollisteve dhe tashmë ka mbetur të fitohet përvoja ndërkombëtare.
“Përzgjedhësja Elvira Dushku, ka bërë punën e saj shumë mirë dhe tashmë me rëndësi është që vashat të shkojnë në Austri dhe të fitojnë përvojë ndërkombëtare. Mendoj se kundërshtaret tona kanë më shumë përvojë, pasi që Kosova U-18 del për herë të parë në Europë, por kjo nuk do të thotë që nuk do të prezentohemi mirë,” ka shtuar Musliu.
Turneu në Vienë zgjat një javë dhe vashat e kaltra pritet që të ballafaqohen me ekipe të ndryshme atje. Trajnerja Musliu gjithashtu ka theksuar se cilësia e vashave kosovare do të rritet gradualisht pasi që janë të reja dhe me perspektivë.
“Nëse punohet me vazhdimësi, cilësia rritet dhe rezultatet do të arrihen. Gjithashtu dua të shfrytëzoj rastrin që të falenderoj FBK-në (Federata e Basketbollit të Kosovës) që po na përkrah në të gjitha aspektet për këtë turne, por edhe në përgjithësi basketbollin femror,” ka shtuar në fund trajnerja Elinda Musliu, e cila është optimiste për rezultatet e përfaqësueses.
Vashat e kaltra U-18 do të nisen për në Vienë më 25 mars.