BIBL

BOROZANI/ Lis Dorambari
Vazhdimet, kësaj radhe mohojnë fitoren
11 November, 2014 @19:04
Fati i mirë në ndeshjet me vazhdime, kësaj radhe nuk ishte në anën e Pejës. Verdhezinjtë të cilët dy fitoret e mëparshme i kanë shënuar pas lojës shtesë, sonte nuk arritën të veprojnë në mënyrë të njëjtë edhe në duel me Rilskin.
Ekipi i trajnerit Boris Kurtovic ishte më i mirë se skuadra vendase në çerekun e parë, të cilën e përmbylli me epërsi prej tetë pikëve, 20-28, ku në sy binte efikasiteti i lartë jashtë vijës 6.75 pasi u shënuan gjashtë treshe në nëntë tentime.
Peja arriti ta ruaj epërsinë edhe gjatë çerekut të dytë, duke mos lejuar Rilskin që të afrohet në më pak se tre pikë, ndërsa në zhveshtore lojtarët pejanë shkuan me motiv të plotë pas trepikëshit të Gerti Shimës, të cilin e shënoi në sekondën e fundit nga një distancë prej rreth 20 metrave për rezultatin 39-45.
Basketbollisti më efikas gjatë pjesës së parë (14) te Peja, Samir Shaptahovic, në çerekun e tretë u ngurtësua duke mos shënuar asnjë pikë, e kjo ndikoi edhe në lojën e verdhezinjëve të cilët i lejuan bullgarët të kalojnë në epërsi.
Por Shaptahovic e përmbledhi veten në çerekun e katërt, e sidomos atëherë kur më së shumti kishte nevojë për të, derisa Pejën e priste përsëri një finish dramatik, sikurse edhe në tre ndeshjet e kaluara të luajtura në Ligën Ballkanike.
Në të shumtën e kohës të dhjetëminutëshit të fundit skuadra e Rilskit e kaloi në epërsi, e cila e arriti kulmin edhe 6 minuta e 46 sekonda pa përfunduar ndeshja me trepikëshin e Ilievit (75-68).
Por më pas pasoi një seri e shpejtë prej 8-0 e Pejës për ta rikthyer rezultatin në të mirë të saj, 75-76. Megjithatë në momentet më kritike të ndeshjes ishin bullgarët të cilët ishin në epërsi, ndërsa pika e kthesës në lojë për Pejën ishte edhe 20 sekonda pa përfunduar pjesa e rregullt e takimit kur amerikani Vernon Taylor e huqi gjuajtjen e dytë të lirë, e më pas në akcionin e shpejtë të Pejës përgjegjësinë e morri Samir Shaptahovic, i cili me anë të një depërtimi të saktë e barazoi rezultatin në 87-87 për ta çuar ndeshjen në vazhdime.
Vazhdimet pa pesë lojtarë!
Në pesëminutëshin e vazhdimeve përjashtimi nga loja e Hajrizit, Moçnikut, Shimës dhe Marojevicit, e më pas edhe të Simovicit, ua pamundësoi fitoren e shumëkërkuar të Pejës, ndërsa si ‘ajkë mbi tortë’ në fitoren e vendasve ishin edhe dy gabimet taktike të pejanëve.
Në fund, Rilski me fitoren e sontme e vazhdoi rrugëtimin e tij me bilanc të qindpërqindtë prej tre fitoreve në po aq ndeshje, derisa Peja edhe në ndeshjen e dytë si mysafire u nda me humbje nga fusha.
Shaptahovic e përmbylli ndeshjen me më së shumti pikë, duke shënuar 38 sosh, ndërsa fitoren e bullgarëve dirigjuan Yordan Bozov dhe Julian Norfleet që shënuan nga 21, përkatësisht 20 pikë.
Rezultatet dhe tabelat aktuale.
Statistikat ekipore
RILSKI SPORTIST | PEJA | ||
Çereku i parë | 20 | 28 | |
Çereku i dytë | 19 | 17 | |
Çereku i tretë | 24 | 16 | |
Çereku i katërt | 24 | 26 | |
Vazhdimi i parë | 18 | 10 | |
Kërcime | 42 | 44 | |
Asistime | 20 | 13 | |
Bllokada | 2 | 1 | |
Topa të vjedhur | 3 | 3 | |
Topa të humbur | 10 | 13 | |
Tentime për tre pikë | 10/27 | 13/35 | |
Tentime nga loja | 30/66 | 33/72 | |
Tentime nga gjuajtjet e lira | 35/46 | 18/28 |
Statistikat individuale te Rilski Sportist
1 | Yordan Bozov | 21 pikë | 5 kërcime | 4 asistime |
2 | Julian Norfleet | 20 pikë | 7 asistime | 5 kërcime |
3 | Zlatin Georgiev | 19 pikë | 5 kërcime | 1 asisitm |
4 | Vernon Taylor | 15 pikë | 12 kërcime | 6 asistime |
5 | Simeon Iliev | 12 pikë | 2 këricme | 1 asistim |
6 | Anthony Gugino | 7 pikë | 7 kërcime | 1 bllokadë |
7 | Ian Chiles | 6 pikë | 1 kërcim | |
8 | Darin Ivanov | 3 pikë | 1 kërcim | 1 asisitm |
9 | Todor Todorov | 2 pikë | 1 kërcim |
Statistikat individuale te Peja
1 | Samir Shaptahovic | 38 pikë | 4 kërcime | 4 asistime |
2 | Gerti Shima | 15 pikë | 9 kërcime | 2 asistime |
3 | Drilon Hajrizi | 14 pikë | 12 kërcime | |
4 | Jan Mocnik | 10 pikë | 4 asistime | 2 kërcime |
5 | Radomir Marojevic | 7 pikë | 3 kërcime | 2 asistime |
6 | Alban Veseli | 6 pikë | 8 kërcime | |
7 | Teo Simovic | 5 pikë | 2 kërcime | 1 asistim |
8 | Rron Grapci | 2 pikë | 3 kërcime |