CAVS NË EPËRSI

Foto: NBA TV
Virtuozi James
10 June, 2015 @9:11
Ylli i basketbollit amerikan, LeBron James, ka pasur një paraqitje mjeshtërore në mëngjesin e sotëm për t’ia sjellë ekipit të tij fitoren ndaj Golden State Warriorsit, në ndeshjen e tretë finale të NBA-së.
James shënoi 40 pikë në ndeshje, për t’i regjistruar edhe 12 kërcime tjera, bashkë me 8 asistime si dhe 4 topa të vjedhura, për fitoren e Cleveland Cavaliers 96-91 në ndeshjen e tretë të serisë.
Cleveland tani ka përmbysur epërsinë e Golden State nga 0-1 në 2-1 dhe i duhen edhe dy fitore për tu shpallë për herë të parë në histori të klubit, kampionë të NBA-së.
Në anën tjetër, MVP i stinorit, Stephen Curry, nisi jo mirë ndeshjen, por në fund u këndell duke arritur të përfundojë takimin me 27 pikë të shënuara.
David Blatt, trajneri i Cavsave është shprehur të jetë i lumtur me performancën e hatashme të Jamesit, derisa Steve Kerr i Golden State, ka thënë se ekipi i tij duhet të vazhdojë luftën deri në fund.
Tristan Thompson shënoi double-double prej 10 pikëve dhe 13 kërcimeve te Cavs, derisa Matt Dellavedova regjistroi 20 pikë të tjera në fitore.
Te Golden State, përveç Curryt u dalluan edhe Andre Igoudala me 15 dhe Klay Thompson me 14 pikë të shënuara.
Ndeshja e katërt e serisë finale, luhet përsëri në Cleveland të premten në mëngjes.
Video
TOP 5 Akcionet e ndeshjes