2-0
Weems demolon Panathinaikosin
18 April, 2014 @21:20
Kampioni i shumëfishtë rus, CSKA Moska, ka kaluar shumë më lehtë në ndeshjen e dytë ndaj Panathinaikosit në kuadër të ndeshjes së dytë çerekfinale të Euroleague.
Rusët, ndeshjen e parë e fituan vetëm pas vazhdimeve, derisa sonte kaluan tepër lehtë duke e mposhtur bindshëm kundërshtarin e tyre në rrugë për Final Four të Euroleague.
Dominimi total i CSKA-së u vërejt në çerekun e dytë (18-6) dhe në atë të fundit (27-12) që u shkaktoi grekëve humbjen e thellë 77-51 në fund.
Sonny Weems ka qenë i pakapshëm për grekët sonte. Ai realizoi 23 pikë me saktësi të jashtëzakonshme nga loja. Weems shënoi 7 herë prej 10 tentimeve nga zona, derisa 3 prej katër tentimeve për treshe. Atij i ndihmoi edhe Vladimir Micov, që në 13 minutat e kaluara në parket regjistroi 12 pikë.
Në anën tjetër, te të gjelbërit e Athinës, që luajtën mirë në çerekët tek, vetëm kroati Roko Leni Ukic ka arritur të shënojë pikë dyshifrore. Ukic shënoi 15 pikë, derisa dështoi njëri ndër basketbollistët më me përvojë të Panathinaikosit, Dimitris Diamantidis, që nuk shënoi asnjë pikë nga tentimet e tij.
CSKA Moska tash ka epërsi 2-0 në seri ndaj Panathinaikosit, ku ndeshjet prej Moskës barten në Athinë. CSKA-së i duhet edhe një fitore për të siguruar Final Fourin, në tre ndeshjet e ardhshme.
Video
CSKA Moska - Panathinaikos
Çaste nga ndeshja e sontme