Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PLAYOFF SEMIFINALS: GAME 1 | YLLI - PRISHTINA

Ylli tregohet superior, i jep humbje për mbamendje Prishtinës

Foto: KB Ylli/ fb

Ylli tregohet superior, i jep humbje për mbamendje Prishtinës


7 May, 2022 @22:25

Prishtina është ndalur në 48 pikë! Kjo është ajo që do të mbahet mend gjatë nga kjo ndeshje e serisë gjysmëfinale të PlayOffit, derisa Ylli në Suharekë ka dominuar gjatë ndeshjes së parë kundër Prishtinës, rekord-kampione të Kosovës, për të shënuar fitore 73-48.

Suharekasit, kampionë aktual të Kosovës, kanë kaluar lehtë bardhekaltërit që arritën në gjysmëfinale pasi që kaluan Prizrenin’16 në cerekfinale të PlayOffit, 2-1. Në asnjë çerek Prishtina nuk arriti të kalojë 15 pikëshin e shënuar, ndërsa në të fundit u ndalë në vetëm tetë të shënuara, që flet mjaft për mbrojtjen suharekase të drejtuar nga Adis Beciragic.

Adis Beciragic
Foto: Adis Beciragic, duke ndjekur ndeshjen Prizreni’16-Prishtina, tri ditë më parë.

Ky i fundit ishte prezent në ndeshjen e fundit të serisë çerekfinale Prizreni’16-Prishtina, për të parë nga afër rivalin gjysmëfinal dhe kjo si duket ka bërë që ai për tri ditë të përgatis skemën e lojës dhe taktikat për ndalë secilin opsion të prishtinasve.

PLAYOFF SKEMA

E Ante Nazor do të ketë punë për të bërë me ekipin që ka për të arritur ndonjë befasi ndaj Yllit, që është treguar superior në duel, derisa Mikaile Tmusic me 19 pikë qe më efikasi në ndeshje, duke shutuar edhe 5/10 për tri pikë.

Me 17 pikë kontribuoi Henrik Sirko, që bëri edhe 7 kërcime e 6 asistime në fitore, ndërsa të tjerët shënuan pikë njëshifrore, por kryen punë të madhe në mbrojtje.

Jetmir Zeqiri ishte më efikasi te Prishtina me 13 pikë të shënuara, ndërsa Biram Faye luajti me double-double prej 11 pikëve dhe 12 kërcimeve, të pamjaftueshme për të bërë më shumë.

Ekipit bardhekaltër në këtë ndeshje nuk i ndezi aspak shuti për tri pikë, derisa në mënyrë ekipore prej 23 tentimeve ata shënuar vetëm 3 herë, dy prej të cilave i shënoi Lejson Zeqiri që kreu ndeshjen me 9 pikë të shënuara.

Dueli i radhës zhvillohet pas katër ditësh, 12 maj 2022, me fillim prej orës 20:30, përsëri në 13 qershori, ndërsa sistemi i ndeshjeve gjysmëfinale luhet në renditjen 2-2-1, me Yllin me përparësi terreni pasi që kryen stinorin e rregullt në vend të parë.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga