SHUMA E TRANSFERIT

300 mijë dhe 15% e transferit të ardhshëm për Ballkanin
11 January, 2023 @11:46
“Marrëveshje e mirë”, ka thënë Nderim Nexhipi drejtor sportiv i Ballkanit, derisa në një bisedë me Koha.net ka bërë të ditur se skuadra suharekase nga transferi i Ermal Krasniqit te Cluj ka përfituar 300 mijë euro dhe 15% të transferit të ardhshëm të lojtarit.
Derisa Ermal Krasniqit i kishin mbetur edhe katër muaj kontratë valide me ekipin e Ballkanit, kjo marrëveshje është konsideruar si e suksesshme nga udhëheqësit e klubit, ndërsa në llogari të kampionit të Kosovës do të arrijnë 200 mijë euro tash, kurse 100 mijë të tjera pasi që Cluj të sigurojë Ligën e Konferencës në stinorin e ardhshëm.
Kujtojmë, Ermal Krasniqi 24-vjeçar është transferi i parë i këtij stinori pas Arbnor Mujës që prej Dritës kaloi te Antwerpi belg. Para tij Valmir Veliu nga Llapi kishte shkuar te Gaziantep, për 180 mijë euro plus 15% e transferit të ardhshëm. Krasniqi por edhe Veliu u ftuan në miqësoret e nëntorit 2022 nga Alain Giresse te kombëtarja e Kosovës.