PRANË SIGURIMIT TË FINALES
Arma e fshehtë e Clevelandit, 3-0
7 May, 2016 @9:14
Cleveland Cavaliers ka shënuar edhe fitoren e tretë të serisë sot në ndeshje me Atlanta Hawks, për t’iu afruar edhe më shumë finales së Konferencës Lindore në NBA.
LeBron James dhe Kyrie Irving kanë vazhduar me performancat e tyre superiore, ndërsa pas tyre nuk ka mbetur as Kevin Love.
Mirëpo, kur në skenë doli Channing Frye, lojtari që zhvilloi ndeshjen e jetës, atëherë Atlanta Hawks, njëmend nuk kishte më gjasa për të shpresuar në fitore.
Frye (32 vj.) shënoi 27 pikë për të mbajtur Clevelandin larg Atlantës, shto këtu edhe 7 kërcime tjera për komplet 28 minuta sa qëndroi në parket.
“Jemi ekip i dizajnuar për të bërë gjëra të mëdha,” ka thënë LeBron James pas fitores së radhës në seri për ekipin e tij.
Natyrisht, nëse Frye vazhdon si sot, me saktësi 10/13, prej ku 7/9 për tre pikë.
“Ai është në ekip zaten për të shutuar. Ai duhet të shutojë dhe të vazhdojë të shutojë,” ka komentuar kolegun e skuadrës James.
Atlanta Hawks u duk krejtësisht pa gjasa në këtë ndeshje. Ndërsa 24 pikë e Al Horfordit nuk ndihmuan fare.
“Tash duhet të luftojmë për jetë-a-vdekje. Në këtë pikë duhet të bëjmë disa ndërrime në lojën tonë, sepse deri tash nuk funksionoi asgjë,” ka thënë Horford pas ndeshjes ku ekipi i tij mbeti larg finales së Konferencës.
James dhe Irving përfunduan ndeshjen me nga 24 pikë të shënuara, ndërsa Love shtoi 21 në fitoren që bëri 3-0 serinë për Cavs, ndërsa ndeshja e radhës luhet të dielën gjithashtu në Atlanta.