
Foto: KFPrishtinaeRe/ fb
Astrit Berisha me hat-trickun e radhës, Prishtina e Re edhe më afër Superligës!
3 May, 2025 @20:33
Sulmuesi më në formë nga të dyja grupet e Ligës së Parë, Astrit Berisha, ka shënuar përsëri hat-trick, ndërsa Prishtina e Re po vazhdon rrugëtimin për në Superligë, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të stinorit!
Prishtina e Re sot mposhti Fushë Kosovën që po lufton për mbijetesë në një ndeshje mjaft vështirë, për t’ia siguruar ekipit të Elon Berishës fitoren e njëzetë kampionale në Grupin B të Ligës së Parë.
Berisha sot hat-trickun e kompletoi në kohën shtesë të ndeshjes, ndërsa vetëm në pjesën pranverore ka shënuar golin e dhjetë, ndërsa me sot kuotën e golave të shënuara e ka çuar në 24 këtë stinor vetëm në kampionat! Ky i sotmi, ka qenë hat-tricku i dytë i stinorit për Berishën.
Fushë Kosova edhe pse arriti barazimin për të shkuar në pushim pjesëlojësh me 1-1, në pjesë të dytë nuk arriti të bëj më shumë edhe pse kishte disa raste, për të përfunduar ndeshja: Fushë Kosova - Prishtina e Re 1-3 [Rilind Haziraj 38’—- Astrit Berisha 28’pen., 51’, 90’+3 pen.].
Fitorja bën që Prishtina e Re pas 25 ndeshjesh të mbetet lidere e Grupit B me 63 pikë, 2 më shumë sesa Vushtrria ndjekëse. Deri në fund të stinorit janë edhe dy xhiro.
E në këto dy xhiro, Fushë Kosova e drejtuar prej Emin Bajramit do të duhet të bëj gjithçka për të siguruar mbijetesën. Minimalisht i duhen katër pikë dhe të shpresojë në rezultatet tjera! Përndryshe, Fushë Kosova mbyllë xhiron XXV në pozitë të nëntë (që rrëzon nga Liga e Parë) dhe ka 22 pikë. Vjosa mbi ta, që është e teta në zonë të shpëtimit, ka 3 pikë më shumë.