KOLUMNE
Aterroi në Beograd Ali Muhammedi, e dërgoi Fenerin në finalen e tretë rresht të Euroligës
Shkruan: BLERIM MYFTIU
19 May, 2018 @13:44
Luajti vetëm diçka më shumë se 11 minuta, por i përdori ato në mënyrën më të mirë të mundshme dhe e përfundoi ndeshjen duke qenë më efikasi i ekipit me 19 pikë. Edhe pse shifra duket mbresëlënëse për kohën e kaluar në parket, më të çmuar kontributin e Ali Muhammedit e bëjnë shënimet kritike që i realizoi. Ato i filloi nga fundi i çerekut të tretë dhe kulmin e arriti në atë të fundit. Pas +13 të cilat i kishte Fenerbahçeja, Žalgirisi ishte afruar në 50-48. Me 12 pikë të shënuara pothuajse rresht mundësoi shkëputjen e dytë dhe përfundimtare të ekipit i cili do të jetë për të tretën herë rresht në finale të Euroligës dhe do të mundohet ta mbrojë titullin.
Željko Obradovići filloi me një pesëshe ndryshe ndeshjen (Wanamaker, Gudurić, Kalinić, Veselý, Düverioğlu) me të cilën në bazë të emrave duket se ndërmend ka pasur ta çmontojë Žalgirisin me mbrojtje të fortë. Që në fillim, Feneri filloi me mbrojtje që prej fushës së Žalgirisit, që në futjen e topit në lojë. Kjo i hapi rrugë shumë topave të humbur kur lituanët nuk arrinin të futeshin nën kosh, as nuk gjenin hapësirë për të gjuajtur nga largësia. Trysnia alternative e dyshes serbe Gudurić-Kalinić mbi playmakerin e Žalgirisit, Pangosin, pamundësuan aplikimin e lojës dhe në 6 minutat e para “të gjelbrit” shënuan vetëm një pikë. As kampionia aktuale nuk është se arriti ta përdor këtë dominim mirë, kështu që pjesa e parë u përmbyll me efikasitet steril, 19-13 për Fenerbahçen.
Duhet theksuar se Ahmet Düverioğlu, i cili gjatë stinorit kishte rol episodik, e shpagoi mirë besimin e trajnerit dhe shënoi 4 pikë e kapi 5 kërcime gjatë këtyre minutave të para, por më pas “u harrua” nga Obradovići në stol. Šarūnas Jasikevičiusi i mobilizoi radhët në çerekun e dytë me futjen në lojë të Vasilije Micićit, i cili e ndihmoi Pangosin në lojë dhe Žalgirisi filloi t’i gjente pikat e dobëta të mbrojtjes. Në saje të energjisë së Luigi Datomes, angazhimit të jashtëzakonshëm të Nicolo Mellit në mbrojtje dhe agresivitetit të Jan Veselýt, Feneri u shkëput në 32-20, mirëpo zgjidhjet e Micićit, telashet e Veselýt me faula, e dobësuan mbrojtjen e çeliktë të Fenerit dhe Žalgirisi arriti që në pushimin e madh të shkonte vetëm me -6 pikë diferencë.
Çerekut të tretë, stambollasit ia nisën sërish me presion të thellë, mbrojtje aktive ndaj topit gjë që çoi në shumë humbje topash nga Žalgirisi. Kostas Sloukasi filloi të shkëlqejë, Wanamakeri organizoi mirë dhe pikët u shpërndanë në tërë ekipin e Fenerbahçes, kështu që nga gjysma e çerekut u arrit epërsia më e lartë prej 50-37. Por duket se diçka ngeci këtu dhe si të dehur nga epërsia, në mënyrë ekspres lituanët bënë seri prej 11-0 me rezultatin që arriti në 50-48. Dyshja lituane (amerikane) nën kosh, Davis-White arrijnë ta çajnë më në fund mbrojtjen dhe u bënë kontribuues të rëndësishëm në këtë zbutje të epërsisë. Ali Muhammedi që kishte luajtur 2 minuta në çerekun e parë u kthye në parket, bëri 4 pikë deri në fund të çerekut sa për ta çuar ekipin e tij në pushim me +4.
Por, recitalin e ruajti për çerekun e katërt ku me 12 pikë pothuajse rresht, i ndihmuar nga i tërë ekipi në zjarr, e çoi rezultatin në 66-58 dhe nga kjo pikë kthim prapa nuk kishte më. Fenerbahçeja e përfundoi ndeshjen në mënyrë rutinë dhe kësisoj e gjeti veten në finalen e tretë rresht, ku do të kërkojë ta mbrojë titullin e fituar vjet në Stamboll. Željko Obradovići do të paraqitet në finalen e 12-të të tij dhe para publikut të vetë, do ta synojë të dielën mbrëma titullin e 10-të për vete në Euroligë.